Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se gjatë kësaj fundjave, në Kosovë parashihet mot i qëndrueshëm dhe pa reshje.
Sipas IHMK-së ky stabilitet atmosferik, i shoqëruar me erëra të dobëta dhe me lagështi të lartë, krijon kushte të favorshme për grumbullimin e ndotësve në ajër duke ndikuar në cilësinë e tij.
Për këtë, IHMK, ka bërë thirrje që grupet më të ndjeshme, si fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme respiratore, të shmangin qëndrimin e zgjatur në ambiente të hapura, veçanërisht në zona urbane ku ndotja është më e theksuar.
Gjithashtu, është bërë thirrje për kujdes edhe për pjesëmarrësit në komunikacion duke pasur parasysh që rrugët, sidomos në zonat malore, mund të jenë të rrëshqitshme gjatë gjithë kohës për shkak të temperaturave të ulëta që thuhet se do të mbizotërojnë në ato zona.
Më tej IHMK, ka bërë të ditur se sot moti është kryesisht i vranët dhe me intervale me diell.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -5 deri në -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të shënojnë nga 2 deri në 4 gradë Celsius.
“Ju këshillojmë që të kujdeseni për veshje të përshtatshme dhe të përgatiteni për kushtet e ngricave dhe mjegullës, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit”- thuhet në njoftimin e IHMK–së.