Shkaku i motit të keq në Shqipëri janë pezulluar lundrimet deri të hënën mbrëma, ka njoftuar Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Lundrimi i anijeve të transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, është anuluar deri të hënën në mbrëmje.
Për shkak të motit të keq, ndalohet edhe lundrimi i anijeve të peshkimit dhe mjeteve të vogla lundruese deri në datën 25 mars, në mëngjes, kur pritet përmirësimi i situatës hidrometeorologjike.
Pas njoftimit për pezullimin e lundrimeve gjatë fundjavës në Vlorë për shkak të motit të keq, masat e sigurimit kanë prekur edhe portin e Durrësit.
Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi për kushte të rënduara atmosferike që do të ndikojnë në lundrimet për disa linja detare. Të shtunën tragetet e linjës Durrës-Bari-Durrës do të nisen nga të dyja drejtimet, por ditën e dielë, më 23 mars 2025, do të ketë një pezullim të lundrimeve për shkak të motit të përkeqësuar dhe dallgëve të detit.
“Tragetet e linjës Durrës-Bari-Durrës do të nisen të shtunën nga të dyja drejtimet dhe do të pezullohen ditën e diel. Anija e linjës Ankona-Durrës-Ankona do të operojë normalisht, po ashtu dhe linja Korfuz-Sarandë”, u tha nga Drejtoria. /KSP