Temperaturat e larta në muajin janar kanë arritur në nivelin më të lartë historik në një numër vendesh në të gjithë Evropën.
Rekordet kombëtare janë thyer në tetë vende evropiane, Holandë, Lihtenshtajn, Lituani, Letoni, Republikën Çeke, Poloni, Danimarkë dhe Bjellorusi.
Temperatura e regjistruar në Varshavë më 1 janar ishte 4 gradë Celsius më e lartë se rekordi i mëparshëm, ndërsa në Bjellorusi temperatura ishte 16.4 gradë Celsius ose rreth 4.5 gradë mbi rekordin e mëparshëm.
Në Billbao të Spanjës temperaturat e ditës së Vitit të Ri ishin ekuivalente me mesataren e muajit korrik, dhe pjesë të Katalonisë, duke përfshirë Barcelonën, janë subjekt i kufizimeve në përdorimin e ujit.
Rekordet thyhen gjatë gjithë kohës, por është e pazakontë që diferenca të jetë më shumë se disa të dhjetat e një shkalle.
Në Zvicër, temperaturat kanë arritur në 20 gradë Celsius dhe moti i ngrohtë ka ndikuar që të ketë mungesë bore në alpet zvicerane.
Vetëm disa ditë më parë, Britania e Madhe, Irlanda, Franca dhe Spanja e shpallën vitin 2022 vitin e tyre më të nxehtë në histori.
Në Mbretërinë e Bashkuar, çdo muaj përveç dhjetorit, ishte më i nxehtë se mesatarja.
Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.
Por, jo në të gjitha vendet evropiane është nxehtë. Temperatura më të ftohta dhe borë parashikohen në pjesë të Skandinavisë dhe në Moskë pritet që temperaturat të bien në minus 20 gradë Celsius deri në fundjavë.
Moti i butë në Evropë vjen pasi Amerika e Veriut po përballet me stuhi më të forta, ku nga i ftohti kanë vdekur dhjetëra persona në SHBA dhe Kanada. REL