Motra e gruas shtatzënë, e cila u vra në oborrin e QKUK-së, këtë të mërkurë, ka bërë të ditur se për rastin e saj, Policia e Kosovës ka qenë në dijeni që katër muaj.
Në gjendje të rëndë emocionale e mes lotësh, Mirushe Lohaj, u shpreh se të martën, familjarët e burrit, i cili dyshohet se e ka vrarë gruan e tij, e kanë lutur të kthehet në shtëpi.
Ajo theksoi se nga mediat e ka mësuar për rastin tragjik, ku mbeti e vrarë motra e saj shtatzënë.
“Rastin atë natë e kemi lajmëruar dhe mjekëve, na kanë thënë në dorë tonë është… Policia që katër muaj e di që u nda prej tij, e kanë ditur gjendjen e saj si e ka. Nuk ka treguar asgjë. E kemi vizituar, dje kemi qenë e kemi vizituar, kanë qenë vjehrra e saj dhe kunata, as nuk i kemi folur, ajo i thoshte ktheu për hatër të fëmijëve. Në lajme e kemi kuptuar, kemi ardhur këtu që policia”, ka thënë ajo.
Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, në Radio Dukagjini, ka thënë se gruaja shtatzënë, e cila u vra këtë të mërkurë, kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse.
Bala tha se institucionet e sigurisë duhet ta shtojnë përgjegjshmërinë, dhe viktimave të dhunës t’u jepet përkrahja e plotë.
MD e konfirmon se gruaja kishte kërkuar ndihmë nga organet e drejtësisë
Gruaja shtatzënë e cila ka humbur jetën, është qëlluar me armë zjarri nga një person i cili dyshohet se është burri i saj. Kështu ka bërë të ditur një anëtar i stafit të QKUK-së për Radio Dukagjini.
Jetën e kanë humbur edhe gruaja edhe fëmija, dyshohet se vdekja e tyre ka qenë e menjëhershme.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në QKUK, pranë klinikës së Gjinekologjisë.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku kanë thënë viktima dyshohet të jetë e moshës 35-vjeçare.