Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar incidentin e ndodhur këtë të enjte në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit të MPB-së maqedonase, presidentja Osmani po kalonte kontrollin kufitar kur një anëtar i sigurimit të saj u përpoq ta kalonte pa skanuar telefonin dhe bagazhin e dorës.
Incidenti u ndalua nga një punonjëse e TAV-së, e cila kërkoi që pajisjet e presidentes të kalonin përmes skanerit.
“Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”, thuhet nga ana e tyre.
Ndërsa, sipas tyre, gjysmë ore më pas në këtë incident ka arritur edhe sigurimi i kryeparlamentarit Afrim Gashi i cili gjithashtu është konfrontuar me punonjësit e aeroportit.
“Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare. Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet tutje nga ana e MPB-së për Klan Maqedoni.