Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur konferenca për lansimin e projektit: “Zgjerimi i Qeverisjes së Migrimit nëpërmjet programimeve të bazuara në evidenca dhe Forcimi i Kapaciteteve të Autoriteteve të Migrimit në Kosovë”.
Në një njoftim për media nga MPB-ja, thuhet se objektiv i përgjithshëm i këtij projekti është që të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes së migrimit, duke u bazuar në evidenca gjithëpërfshirëse dhe të maksimizojë potencialin e migrimit, për të arritur rezultate konkrete të zhvillimit të qëndrueshëm.
“Migrimi mbetet një sfidë për shtetin e Kosovës, rajonin dhe më gjerë. Zhvillimet e ndryshme sidomos luftërat dhe konfliktet detyrojnë largimin dhe migrimin nga vendet e ndryshme të botës, të cilët lëvizin përmes rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, prioriteti jonë ka qenë dhe mbetet parandalimin i migrimit të parregullt, duke luftuar grupet kriminale që merren me kontrabandim me migrantë, si dhe duke zgjeruar infrastrukturën dhe përmirësuar shërbimet për pritjen, akomodimin dhe trajtimin e dinjitetshëm të migrantëve dhe aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare”, ka thënë ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Vlera e projektit është 2.1 milionë franga zvicerane, e financuar nga Konfederata Zvicerane dhe që do të realizohet nga organizata për migrim IOM.
Ministri Sveçla vuri në dukje se ky projekt është i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave në fushën e migrimit.
“Zgjerimi i kapaciteteve dhe infrastrukturës për pritjen dhe trajtimin e migrantëve që është pjesë e këtij projekti, reflekton prioritetet dhe politikat tona shtetërore për: menaxhim të lëvizjeve migratore, si dhe trajtimin e migrantëve sipas standardeve ndërkombëtare dhe parimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut etj”.
Sveçla ka falënderuar shtetin dhe popullin Zviceran, për përkrahjen e vazhdueshme që ka ofruar për vendin dhe institucionet e Kosovës ndër vite.
Ai tha se Zvicra ka qenë dhe mbetet ndër partnerët kryesorë drejt zhvillimit të shtetit dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.