Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për gjendjen aktuale në komunat e prekura nga vërshimet në Kosovë.
Ministria e Punëve të Brendshme(MPB) ka njoftuar se situata aktuale është stabile, për shkak të ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe rënies së niveleve të ujërave.
“Ministria e Punëve të Brendshme përmes Qendrës Operative Emergjente, mbetet e angazhuar të sigurojë rrugët kryesore dhe alternative të qarkullueshme”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje njoftohet se përmes AME-së dhe në koordinim me Ndërmarrjet Publike, MPB-ja mbetet e angazhuar të sigurojë ujë të pijes, si dhe të plotësojë nevojat të tjera të mundshme të qytetarëve nga zonat e vërshuara.
“Institucionet relevante kanë intervenuar në dy lokacione në Komunën e Skënderajt, në 4 lokacione në Mitrovicë, si dhe janë siguruar cisterna për ujë të pijes në këto dy komuna sipas kërkesave. Në Komunën e Klinës, në disa lokacione ka filluar intervenimi me pompa për largimin e ujit dhe varësisht nga kërkesat do të vazhdojë edhe në zonat tjera të kësaj komune”, thuhet tutje në komunikatë.
Mes tjerash thuhet se janë në dispozicion të plotë për veprim në të gjitha komunat e Kosovës dhe ka apeluar qytetarët për kujdes të shtuar.