MPJ e Norvegjisë deklarohet për rastin e Artan Zymberajt

MPJ norvegjeze ka deklaruar se është në dijeni për rastin e Artan Zymberajt, duke theksuar se autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve

Foto ilustrim





Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë ka bërë të ditur për RTV Dukagjinin se është njoftuar për vdekjen e shtetasit norvegjez nga Kosova, Artan Zymberit në burgun në Serbi, por ka shtuar se “për çdo pyetje për rrethanat e vdekjes, duhet drejtuar autoriteteve serbe”.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë ka dijeni për vdekjen e një shtetasi norvegjez në Serbi. Shërbimi i Jashtëm norvegjez njoftoi të afërmit dhe ofroi ndihmë konsullore për familjen. Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve. Çdo pyetje në lidhje me rrethanat e vdekjes duhet t’u drejtohet autoriteteve serbe”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka njoftuar se ka kërkuar informacione nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë, lidhur me rrethanat e vdekjes së Zymberit.

“Deri tani nuk na kanë ofruar ndonjë informatë, me të cilën, e konfirmojnë rastin”, ka thënë MPJD.

Ministria serbe e Drejtësisë: Zymberi refuzoi të trajtohet për një sëmundje

Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha për Radion Evropa e Lirë se Artan Zymberi, shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, i cili ka vdekur në një burg në Serbi, më 27 nëntor, “ka refuzuar të trajtohet për një sëmundje që kishte”.

Mediat në Kosovë, ditëve të fundit, kanë raportuar se familjarë të të ndjerit kanë shprehur dyshime se Zymberi, 28 vjeç, mund të jetë vrarë shkaku i disa tatuazheve në trup, si ato me figurën e Adem Jasharit, shqiponjës dhe emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë njoftoi se nga 3 shkurti i këtij viti, Zymberi ishte duke vuajtur dënimin me burg në Sremska, Mitrovicë, me kohëzgjatje prej tre vjetësh e tetë muajsh, për veprën penale: prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Atij, më parë, i ishte shqiptuar masa e paraburgimit, po ashtu në Sremska, Mitrovicë, ku ndodhej që nga 29 prilli i vitit 2021.

Nuk është e qartë sesi ka ardhur deri te arrestimi i tij në Serbi.

Ministria serbe tha se kur Zymberi është marrë në mbajtje, ka deklaruar se është duke u trajtuar nga një “lloj i caktuar i sëmundjes”, por ajo tha se nuk mund të specifikojë më shumë, për shkak të Ligjit për të dhënat dhe mbrojtjen personale dhe Ligjit për kujdesin shëndetësor.

Ministria, po ashtu, tha se Zymberi nuk ka pasur me vete dokumentacion mjekësor, por se është kontrolluar disa herë nga mjeku, dhe se në bazë të gjendjes që kishte, merrte terapi adekuate.

Ministria serbe tha se ai kishte “kujdes të plotë mjekësor” dhe “kontroll të rregullt”.

Sipas saj, Zymberi, gjatë vuajtjes së dënimit, ishte referuar disa herë në një spital special të burgut në Beograd.

Ai u tha se ka refuzuar mjekimin dhe ushqimin në disa raste.

Për herë të fundit, ai ka qëndruar në këtë spital special nga 28 korriku deri më 17 shtator të këtij viti.

Pas kësaj periudhe, ai u kthye në burg në Sremska, Mitrovicë, me udhëzimin për terapi dhe trajtim të mëtejshëm, të cilin “ky i dënuar me vendosmëri e refuzoi”.

“Me të dënuarin është diskutuar disa herë se duke refuzuar terapinë, me dashje rrezikon shëndetin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë serbe të Drejtësisë.

Sipas saj, mjeku ka konstatuar vdekjen e Zymberit më 27 nëntor, në ora 07:15, në shtratin e tij në burgun e Sremska, Mitrovicë.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika