Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë thirrje për qytetarët e Kosovës dhe diasporës që të shmangin kalimin transit përmes territorit të Serbisë.
Sipas njoftimit të MPJD-së, ky rekomandim erdhi pas paralajmërimeve nga të ashtuquajturit “Këshilli Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili njoftoi se më 6 shtator do të zhvillohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.
MPJD-ja ka theksuar se qytetarët duhet të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë për të evituar ndonjë shqetësim ose vonesë gjatë kalimit.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, MPJD-ja ka inkurajuar qytetarët dhe diasporën që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet nga burime zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.