Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar për Dukagjinin se ka pranuar 13 marrëveshjet e përbashkëta në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Konfirmoj se i kemi pranuar 13 marrëveshjet sot nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë”, ka thënë zëdhënësja e ministrisë, Qëndresë Fazliu.
Lajmin për nënshkrimin e tyre e dha edhe vetë kryeministri Edi Rama gjatë së enjtes.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka nënshkruar 13 marrëveshjet e planifikuara në mes të saj dhe Qeverisë së Kosovës, marrëveshje që planifikoheshin të nënshkruheshin në mbledhjen e 14 qershorit.
Të njëjtat i ka dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Pasi thotë se “ia heqi marakun Kurtit”, ai po pret një konfirmim nga ana e tij për të zhvilluar një takim pasditen e së enjtes.
Në agjendën e publikuar nga Rama, aty thuhet se takimi nga kryeministri Kurti nuk është konfirmuar akoma.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë do të vizitojë Kosovën, të enjten. Me këtë rast, ai do të takojë edhe presidenten Osmani.
Siç bën të ditur Zyra e Presidencës së Kosovës, takimi në mes të Osmanit dhe Ramës do të fillojë në orën 16:00.
Kryeministri Rama do të jetë në vizitë në Prishtinë, në kuadër të turit në Ballkan, i cili ka të bëjë me përgatitjen për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.
Ky i fundit do të pritet nga Tirana në tetor të këtij viti.
Vizitën e tij pas qëndrimit në Prishtinë, Rama do ta vazhdojë në Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë.