Ministrja e Punëve të Jashtme bashkë me Zëvendësministren Liza Gashi në kuadër të “Summit of the Americas”, në të cilin po marrin pjesë me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken, kanë zhvilluar takime me zyrtarë të shteteve që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur Sharr Jakupi, shef i kabinetit të ministres Donika Gërvalla, i cili ka thënë se për shkak të rrethanave nuk mund të japin më shumë detaje nga këto takime.
“Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht Minstrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bashkë me Zëvendësministren Liza Gashi, në margjina të „Summit of the Americas“ patën mundësinë të zhvillojnë takime edhe me shumë shtete jonjohëse. Megjithatë kërkojmë mirëkuptim se për shkak të rrethanave të ndjeshme dhe proceseve të lidhura me to nuk mund të publikojmë asnjë foto, emër dhe detaj tjetër nga këto takime”, ka shkruar Jakupi në Facebook.
Ditë më parë, pasi ishte bërë publike ftesa, Ministria e Punëve të Jashtme, kishte dalur me një njoftim ku thuej se “kjo është hera e parë që Republika e Kosovës përfaqësohet në ketë Samit”
Në margjinat e këtij Samiti, ishte planifikuar që ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime bilaterale me zyrtarë të lartë shtetëror të shteteve pjesëmarrëse.
Ndërkaq, të premten, ministrja Gërvalla, kishte publikuar një fotot ku shihej me sekretarin amerikan të shtetit Anthony J. Blinken. Përmes një shkrimi në Facebook, ajo kishte bërë të ditur se me Blinken kishin biseduar për sigurinë dhe bashkëpunimin në Ballkan.

“Biseda me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken rreth sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkan dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës ishte shumë inkurajuese, domethënëse dhe e përzemërt. Lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbetet gjithmonë e veçantë”, kishte njoftuar ministrja.
Sipas ministres, Blinken ka thënë se “Kosova zë një vend të veçantë në zemrën e Presidentit Biden”.
