Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se të premten e 23 dhjetorit, përmes kanaleve zyrtare, ka pranuar kërkesën për lejimin e vizitës treditore (26-28 dhjetor 2022) të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirje në Republikën e Kosovës.
Pas shqyrtimit të kërkesës, MPJD është përgjigjur se vizita e Porfirjes do të mund të aprovohet vetëm pasi Kisha Ortodokse Serbe të ketë dënuar, respektivisht, të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje.
“Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar, siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me distancimin nga aktet e dhunës dhe veprimet e lartpërmendura”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, një qëndrim i tillë i institucioneve të Kosovës është determinuar nga fakti që prifti ortodoks, Predrag Popoviq, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas në Rakovicë, afër Beogradit, ditë më parë kishte pranuar publikisht se ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar ilegalisht kufirin e Republikës e Kosovës, duke përdorur rrugët anësore –sipas tij, për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it, i kishte vizituar dhe përkrahur protestuesit në barrikadat në Leposaviq.
Me qëllim të sqarimit të qëndrimit të vërtetë të Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth kësaj çështjeje, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, ka kontaktuar fillimisht përfaqësuesit e misioneve diplomatike të vendeve të Kuint-it, ku ka bërë të qartë se deklarata e KOS-it është e pavërtetë, pasi kërkesa si e tillë nuk është refuzuar, por është ndërlidhur me distancimin nga aktet e dhunës dhe deklarimin se nuk qëndron prapa veprimeve të përfaqësuesve të saj, si në rastin e priftit ortodoks, Popoviq.
Ndryshe, Kisha Ortodokse Serbe pretendon se institucionet e Kosovës ia kanë ndaluar patriarkut Porfirije, ardhjen në Patrikanën e Pejës.
Për këtë “vendim”, ka reaguar vetë patriarku, teksa këtë “ndalesë” e ka vlerësuar si “vendim jashtëzakonisht diskriminues”.
Sipas mediave serbe, patriarku Porfirije “nuk heq dorë nga synimi i tij për të kryer shërbimin hyjnor në Patriarkanën e Pejës dhe se pret që ky vendim të rrëzohet”.
Po ashtu, ai ka kërkuar që të “ndalet shkelja e të drejtave të njeriut dhe lirive fetare të serbëve ortodoksë që jetojnë në Kosovë”.