Gjatë një konference për media Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi gjatë ditës së martë të 26 korrikut kanë shpalosur dy programe të rëndësishme që pritet të forcojnë lidhjen e mërgatës me Kosovën.
Programi Karvani i Diasporës 2022 dhe Programi për Diplomaci Publike janë këto dy programe që i kanë prezantuar Gërvalla dhe Gashi, këto programe sipas tyre do të kenë në fokus diplomacinë qytetare dhe do të fillojnë përmes platformës online ShijoKosoven.com, e cila do të lansohet të mërkurën pasdite në qytetin e Gjilanit.
Programi Karvani i Diasporës 2022 do të fillojë nga qyteti i Gjilanit më 27 korrik dhe to të vazhdojë në qytete të tjera deri më 7 gusht, përveç bashkëbisedimit me qytetarë, shkëmbimit të ideve, ofrimit të programit muzikor e argëtues, do të prezantohet edhe pilot-projekti për diplomaci qytetare, si dhe do të bëhen të ditura në detaje mundësitë e përfshirjes së të rinjve të mërgatës, profesionistë, në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.
“Republika e Kosovës, shtet i pavarur, sovran dhe demokratik nuk do të mund të realizohej pa kontributin edhe të mërgatës shqiptare anembanë botës. Gjatë okupimit të Kosovës dhe sundimit të regjimit të Millosheviçit, mërgata e organizuar me një solidaritet të jashtëzakonshëm ndihmoi familjet në nevojë, por mbi të gjitha luajti rol vendimtar në ndërtimin e shtetit paralel, internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe sigurimin e përkrahjes së botës demokratike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës”, ka thënë ministrja Gërvalla.
Luftës çlirimtare iu bashkuan edhe të rinjtë e mërgatës ku sipas Gërvallës ata jo vetëm që u bënë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por ishin edhe vendimtarë në themelimin e ushtrisë.
“Edhe sot, 23 vjet pas luftës dhe 14 vjet pas shpalljes së pavarësisë, mërgata luan një rol vendimtar në zhvillimin e vendit. Jo vetëm remitencat, të cilat zbusin dukshëm papunësinë dhe ndihmojnë familjet për të përballuar sfidat jetësore, por edhe investimet e ardhura nga mërgata, e përmes mërgatës, janë shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës,” ka thënë Gërvalla.
Ministrja Gërvalla është shprehur se përvoja në shtetet demokratike, mërgatën tonë e kthen në një motor të rëndësishëm të zhvillimit të demokracisë, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të zhvillimit në fushat e arsimit, shëndetësisë, shkencës dhe fusha të tjera të panumërta.
Po ashtu për programet ka folur edhe zëvendësministrja Gashi, e cila ka thënë se e gjithë kjo po bëhet në kuadër të punës së bërë për angazhimin dhe përfshirjen e diasporës në kuadër të Planit qeveritar 2021-2024, që sipas saj, është transferi i dijes në fokus, por edhe ndërlidhja e mërgatës me vendin amë.
Gashi ka theksuar se qëllimi kryesor i platformës ShijoKosoven.com është një bashkëbisedim aktiv dhe rrugëtim me mërgatën në qytete të ndryshme të Kosovës.