Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka mirëpritur heqjen e tabelës sinjalizuese në Murinë të Malit të Zi, e cila i referohej qytetit të Pejës si pjesë e Serbisë me mbishkrimin “Peć Srb”.
Sipas njoftimit zyrtar të MPJD-së, largimi i tabelës është bërë pas angazhimit institucional të Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimit me autoritetet malazeze.
Ministria ka njoftuar se përmes Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, janë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për adresimin e këtij rasti.
“Menjëherë pas pranimit të informacioneve për këtë rast, MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Podgoricë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për adresimin e kësaj çështje me institucionet kompetente të Malit të Zi. Ministria mirëpret këtë veprim nga autoritetet malazeze dhe e konsideron atë si një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimit të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Po ashtu, Ministria ka falënderuar aktivistët dhe banorët e zonës për reagimin e tyre qytetar dhe angazhimin në sensibilizimin e opinionit publik.