Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se furnizimi me ujë të pijes është stabilizuar, pas situatës së krijuar si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse. Ekipet e Institutit Kombëtar po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
MSh-ja njofton se të gjitha QRSHP-të në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare dhe janë duke monituruar situatën epidemiologjike, e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve.
“KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj dhe fabrika Drenas trajtojnë ujin me kapacitet jo të plotë”.
Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
“KRU “Mitrovica”- Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë janë në funksion të plotë me trajtimin e ujit”, njofton MSh-ja.
MSh-ja tutje njofton se “KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: Vlerat e turbullirës brenda standardeve”.
“KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës: Në zonat e furnizimit nga KRU”Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë”, njofton MSh-ja.
“KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë, Kaçanik, Hani Elezit, Shtërpcë të gjitha mostrat e ujit janë brenda standardeve për ujin e pijes”, njofton MSh-ja.
“KRU “Hidromorava”- Rajoni Gjilan: Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Gjilan janë brenda standardeve për ujin e pijes”, vijon njoftimi.
“KRU “Hidroregjioni jugor”- Rajoni Prizren: Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP Prizren janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human”.
Mes tjerash, Ministria e Shëndetësisë njofton se IKSHPK / Qendra e Ujit me qëllim të stabilizimit të furnizimit, ka rekomanduar disa veprime.
“Përcjellja e vlerave të turbullirës dhe kujdes i shtuar në procesin e trajtimit, kujdes i shtuar në procesin e dezinfektimit, pastrimi i të gjitha stabilimenteve në procesin e trajtimit, pastrimi i rezervoareve dhe rrjetit shpërndarës, riparimi dhe debllokimi i pusetave dhe sanimi i dëmtimeve ne rrjetin shpërndarës”, thuhet në rekomandimet e IKShPK-së.