Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës u ka bërë thirrje mjekëve shqiptarë që jetojnë jashtë Kosovës dhe të huajve që të kthehen në Kosovë, për të ndihmuar sektorin e Shëndetësisë.
MSh ka ftuar specialistët e fushave të ndryshme mjekësore që kanë interes për angazhim dhe punë në institucionet publike shëndetësore të Kosovës.
Ftesa u drejtohet profesionistëve për të ndihmuar vendin dhe këtë sektorin, në mënyrë që shëndetësia të ofrojë shërbime te të gjitha niveleve.
“Bashkëpunimi profesional në institucionet tona ka ekzistuar dhe aktualisht është duke marrë ritëm të ri. Por, në mënyrë që ky bashkëpunim të thellohet e dinamizohet, ju ftojmë të shprehni interesimin tuaj për të ndihmuar vendin dhe sektorin krah për krah me kolegët që me mundin e dijen e tyre sigurojnë shërbimet në të gjitha nivelet. Të gjithë të interesuarit që kanë përvojë të konsiderueshme pune në lëmi ku veprojnë dhe veçanërisht ata që kanë dhe përvojë akademike u lutemi të na drejtohen”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Tutje, MSh-ja bën të ditur se për angazhimin e këtyre profesionistëve, të cilët janë të interesuar të bëhen pjesë e sektorit shëndetësorë në Kosovë, do të bëhen marrëveshje me institucionet shëndetësore ose me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Angazhimi i profesionistëve shëndetësorë nga mërgata dhe jashtë vendit do të respektojë kushtet e Udhëzimit Administrativ (QRK) nr. 10/2022 për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj dhe aktet e tjera ligjore në fuqi”, ka përfundur Ministria e Shëndetësisë në njoftimin e saj.
Gjithashtu, ka njoftuar se e-mail-i që mund të drejtohet secili që ka interes është, [email protected].