Mostra të ujit janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë në zonën e fshatit Marec, për t’u testuar nëse i njëjti është për pije.
Sipas një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga mostra e ujit e marrë nga familja Pacolli që furnizohet nga ai burim i ujit, ka treguar se uji paraqet rrezik për shëndetin.
“Këto resurse janë të pambrojtura dhe si të tilla me potencial të madh të mundeshëm të ndotjes. Në favor të kësaj flet edhe mostra e ujit e marrë në familjen Pacolli (furnizohet nga burimi natyror) e cila rezultoi me mungesë të klorit rezidual, me turbullirë të shtuar (mbi 20 NTU) dhe me ngjyrë të ujit të verdhë në të gjelbër. Ky ujë si i tillë nuk është për pije dhe përbën rrezik potencial për shëndetin e banorëve. Po ashtu, edhe rezultati i analizës kimike ka mospërputhshmëri me standardet e paraparë sipas UA nr. 10/2021 ‘Cilësia e ujit për konsum nga njeriu’”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, MSH ka njoftuar se rezultatet bakteriologjike priten pas 48 orëve.
IKShPK ka rekomanduar autoritetet përgjegjëse që secila prej tyre të ndërmarrin masa të nevojshme për zgjidhjen afatgjate të furnizimit me ujë të sigurt për banorët e kësaj zone. Sipas njoftimit, bëhet e ditur se e njëjta situate ndodhet edhe në fshatra të tjera.
“Problemi bëhet edhe më madhor pasi situatë e ngjashme është edhe në 21 fshatra tjera të kësaj zone. Me qëllim të mbrojtjes dhe avancimit të shëndetit të banorëve, IKSHPK e sheh si nevojë imediate zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë për qytetarët e kësaj zone”, thuhet në njoftim.
IKSHPK ka rekomanduar që burimet natyrore ekzistuese dhe puset individuale të pastrohen mekanikisht nga mbeturinat, të mirëmbahet rezervuari dhe gypi shpërndarës dhe përfundimisht uji të dezinfektohet.