Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas keqtrajtimit ndaj së moshuarës nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë” Orenda”.
Në videot e postuara në rrjetet sociale shihet një infermiere derisa e keqtrajton një grua të shtyrë në moshë, teksa të tjerat vetëm shikojnë e qeshin me dhunën dhe keqtrajtimin çnjerëzor që ndodh aty.
Kryetari, Muhaxheri ka thënë se komuna që ai e drejton nuk menaxhon me asnjë institucion i cili ofron “shërbime geriatrike”.
Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që rasti të trajtohet me seriozitet.
“Komuna e Pejës nuk menaxhon me asnjë institucion i cili ofron shërbime geriatrike. Kemi ftuar publikisht inspektoratin e shëndetësisë dhe organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda” kanë rrahur fizikisht një të moshuar.
RTV Dukagjini ka kontaktuar me këtë Qendër, ku infermierja kryesore nuk ka mohuar se e njëjta është xhiruar aty, duke thënë vetëm se menaxheri do të japë sqarime më vonë.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tashmë janë arrestuar dy personat që shihen në video duke e keqtrajtuar gruan e moshuar.
Nga Qendra e të Moshuarave ku ka ndodhur rasti kanë bërë të ditur se më vonë do të dalin në një konferencë për media për të folur për këtë çështje.