“Ajo që kemi bërë më së fundi në dritën e përshkallëzimeve që ndodhën është vendosja e disa masave kundër qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë për të vepruar në një mënyrë evropiane drejt shtensionimit dhe marrjes së hapave të rëndësishëm në këtë drejtim”.
Kësaj deklaratë të zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka reaguar me ironi, deputeti i VV-së, Armend Muja, duke i listuar sjelljet “evropiane” të Serbisë, të cilat kanë kaluar pa ndëshkim nga BE-ja.
“Respektimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit, nuk qenka sjellje evropiane e si e tillë qenka ndëshkuar nga BE. Më lejoni të listoj një varg sjelljesh ‘evropiane’ të Serbisë, të cilat kanë kaluar pa ndëshkim nga ana e BE-së:
Dhjetëra baza ushtarake në kufi me Kosovën
– Rritja e gjendjes së gatishmërisë së ushtrisë disa herë brenda viteve të fundit
– Fluturimi i Mig-ave në kufirin me Kosovën
– Mosbashkëpunimi në zgjidhjen e çështjes së targave, ku pas 6 muajsh negociata Serbia nuk zgjedh asnjë nga opsionet e BE-së
– Mungesa e bashkëpunimit e zbatimit nga Serbia e udhërrëfyesit të marrëveshjes së energjisë
– Kërcënimet dhe kriza e shkaktuar në fund korrik 2022
– Kërcënimi e shantazhimi, djegia e veturave të serbëve të Kosovës për të mos lejuar regjistrimin e targave legale
– Prodhimi i targave ilegale, edhe pas dakordimit të nëntorit 2022
– Urdhëri për braktisje të institucioneve në nëntor 2022 të serbëve të Kosovës, që solli në dorëheqjen e kryetarëve
– Ngritja e barrikadave dhe organizimi i grupeve kriminale në komunat në veri
– Nxitja përsëri e mospjesëmarrjes në zgjedhje
– Dhuna dhe sulmet ndaj Kfor-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve
– Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë
– Refuzimi i nënshkrimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit
– Shkelja e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit”, ka shkruar Muja në Facebook.
Më tej, Muja ka thënë se një sjellje tjetër e”evropiane” e Serbisë është edhe mos sanksionimi i Rusisë.
“Një sjellje tjetër tejet ‘evropiane’ e Serbisë, është edhe mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dënimit të agresionit të këtyre të fundit ndaj Ukrainës”, ka shtuar Muja.
Sipas Mujës, ky reagim i Stanos “qartazi është dëshmi, fakt e konfirmim i brengës së 56 nënshkruesve të letrës së dërguar”.