Në gazetën Frankfurter Allegemeine Zeitung, gazetari gjerman, Michael Martens ka bërë një shkrim me titull ”Rusia jashtë, Kosova brenda?”, në të cilin ka raportuar se Kosova mund të jetë, së shpejti, anëtarja më e re e Këshillit të Evropës.
Në shkrimin e tij, Martens thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo, pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.
Sipas mediumit, Kosova do të mund të zërë vendin e Federatës Ruse, e cila u përjashtua nga këshilli, disa javë më parë.
FAZ raporton se perspektiva e Kosovës, pas përjashtimit të aleatit kryesor të Serbisë në këtë këshill, Rusisë, vlerësohet si mjaft e mirë.
”Prandaj, një fushatë e suksesshme e Beogradit kundër përfshirjes së ish-krahinës së tij në shoqatën më të vjetër të demokracive evropiane është më pak premtuese”, shkruhet ndër të tjerash në artikullin e gazetës gjermane.
Pas përjashtimit të Rusisë, Këshilli i Evropës ka ende 46 anëtarë. Nga këto, 34 e njohin pavarësinë e Kosovës dhe do të kërkonte më shumë se dy të tretat e shumicës , 31 vota gjithsej.
”Kosova tani ka një mundësi të madhe për të aplikuar për anëtarësim menjëherë. Rusia dhe aleatët e saj nuk janë më në gjendje ta bllokojnë Kosovën”, tha ish-diplomati kosovar Petrit Selimi.
Selimi theksoi se aplikimi nuk ka të bëjë vetëm me mundësinë matematikore, por edhe me domosdoshmërinë politike të një hapi të tillë.
”Argumenti kryesor duhet të jetë nevoja që kosovarët, duke përfshirë edhe minoritetet, të gëzojnë avantazhe, si qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Mbajtja e Kosovës e izoluar nuk është në interes të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan”.
”Ne kemi evoluar në një demokraci dinamike dhe të pjekur. Kjo duhet të njihet nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, përfundoi ai.
”Kosova dëshiron të përfitojë nga momenti”− shkruan mediumi.
Ndërsa, për të njëjtën gjë, FAZ ka cituar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, e cila gjatë këtij muaji, konfirmoi se ”projekti i Këshillit të Evropës” është prioritet në Prishtinë, dhe se duhet të arrihet, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Gjithashtu, në medium shkruhet se argumentet e përdorura deri më tani nga institucionet në Kosovë, janë të ngjashme me deklaratat e ish-ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi.
Ndër të tjerash, FAZ thekson faktin se në Kosovë, ekziston një demokraci që ka kaluar në ndryshime nga qeverisja në qeverisje, teksa shton se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë korrekte, dhe humbësit e kanë pranuar lehtësisht humbjen dhe e kanë dorëzuar pushtetin.
Tutje, në mediumin FAZ shkruhet se nga pikëpamja kosovare, gjëja kryesore është të shfrytëzohet momenti, nëse jo tani, atëherë kur është koha e duhur.
Anëtari i Bundestagut, Frank Schwabe (SPD), i cili kryeson fraksionin e përbashkët të Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve në Asamblenë Parlamentare, sugjeroi në mars, që Kosova të afrohet me Evropën.
”Ne duhet ta afrojmë Kosovën me Evropën. Një mundësi e mirë për ta bërë këtë do të ishte anëtarësimi në Këshillin e Evropës”.
Diçka të njëjtë thotë edhe ish-diplomati Knut Abraham (CDU), i cili ka përvojë në Ballkan dhe është anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut dhe Asamblesë Parlamentare.
”Në funksion të luftës në Ukrainë, tani është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi një luftë të paimagjinueshme në Ballkan dhe të dërgojmë një sinjal të qartë, se ne nuk tolerojmë asnjë ndryshim të kufijve, përmes dhunës dhe se mbrojtja e pakicave dhe të drejtave të njeriut, duhet të forcohet. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hapi i duhur”, ka thënë Abraham.
Frankfurter Allgemeine Zeitung përfundon artikullin duke shkruar se: ”Mundësitë për këtë nuk kanë qenë kurrë më të mëdha se tani”.
Vlen të thuhet se Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949, për të arritur një bashkim më të madh, midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Organizata ka 47 shtete anëtare dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë eurosh.
Ndryshe, më 16 mars, Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës.
Në një deklaratë nga Komiteti i ministrave të Këshillit thuhej se pas një takimi ”të jashtëzakonshëm”, anëtarësimi i Rusisë ishte pezulluar.
Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin pushtuan Ukrainën.