Mungesa e presionit ndërkombëtar, shkak i diskriminimit të studentëve të Luginës së Preshevës

Ndonëse ekzistojnë dy marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, ajo e Brukselit dhe Washington-it, pjesë e të cilave është edhe njohja e diplomave nga ana e Serbisë, kjo e fundit vazhdon të jetë një marrëveshje pa zbatim. Deputeti Shaip Kamberi, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi dhe këshilltarja politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani dhe Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës konsiderojnë se dëmi është evident dhe njëherit, edhe një nxitës i migrimit të rinisë drejt vendeve të BE-së





Ishte 29 shtatori i vitit 2015 kur Zyra e Kryeministrit njoftoi se në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të dyja palët ishin zotuar për njohjen reciproke të diplomave universitare, marrëveshje kjo e cila përfshinte të gjitha nivelet universitare, diplomat e shkollave të mesme, arsimin profesional dhe njëherit edhe atë të nivelit të pestë në kuadër të kualifikimeve sipas kornizës evropiane të kualifikimeve.

Shtatë vjet më vonë, pavarësisht ekzistencës së kësaj marrëveshjeje, një zotim i tillë vazhdon të mos zbatohet për studentët kosovarë në Luginën e Preshevës, e kjo është edhe një nxitje për mërgimin e rinisë së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës drejt vendeve të BE-së.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se mosnjohja e diplomave nga universitetet e Kosovës është problem thelbësor me të cilin përballen studentët e këtij vendi.

“Po bëhen 14 gjenerata të cilëve, përkundër shumë iniciativave, nuk u njihen diplomat. Këta të rinj pa perspektivë në vendin e vet janë larguar në masë në drejtim të vendeve të BE-së. Pra kjo është arsyeja kryesore e shkallës së lartë të migrimit. Krahas mosintegrimit, dhe temave të shumta politike, mosnjohja e diplomave po e shkakton gjendjen e pashpresë te pjesa më vitale e Luginës së Preshevës, rinia”, ka deklaruar Kamberi.

Sipas tij, një gjë e tillë vazhdon të ndodhë si shkak i mungesës së trysnisë ndërkombëtare ndaj Serbisë lidhur me marrëveshjet për të cilat kjo e fundit kishte rënë dakord.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi

“Bashkësia ndërkombëtare po hesht. Nëse këto marrëveshjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat, atëherë imponohet që kjo temë, krahas pozitës politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe niveli që duhet garantuar i të drejtave të tyre, duhen të jenë pjesë e marrëveshjes finale të Kosovës me Serbinë”, ka thënë Kamberi.

Se Qeveria e Serbisë po shkel të drejtat e njeriut për punësim dhe arsimim dhe njëherit se ajo është bllokuese ndaj zbatimit të marrëveshjes së lartcekur është pajtuar edhe këshilltarja politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani.

“Përpos që Qeveria e Serbisë nuk ushtron politika për krijimin e vendeve të reja të punës për Luginën në përgjithësi, e shqiptarët në veçanti, me moszgjidhjen e njohjes së diplomave universitare nuk shkel vetëm të drejtën në punësim, por të drejtën për ta gëzuar të drejtën për aplikim në punësim”, ka deklaruar Sinani për Portalin Dukagjini gjersa ka theksuar se “Është Qeveria e Serbisë ajo që po e bllokon me vite zbatimin”.

Krahas kësaj, Sinani ka deklaruar se mbeten në bashkërendim me Qeverinë e Kosovës lidhur me çështjen e diplomave kosovare dhe se kjo çështje do të ngritet te partnerët ndërkombëtarë, ashtu që këta të fundit të rrisin trysninë e tyre për zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë.

Ndonëse të hënën e 11 prillit Kuvendi i Preshevës kishte votuar pro shkarkimit të Ardita Sinanit nga posti i kryetares së Preshevës, kjo e fundit u emërua si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Bazuar në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, emërimi i Sinanit në pozitën që tashmë ajo ushtron ishte hapi i parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zyrë të cilën do ta koordinojë Sinani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ardita Sinani

Pavarësisht nivelit të arsimit dhe larmisë së studimeve, kryetari i komunës së Preshevës tha se të rinjtë kanë vështirësi të madhe për t’u punësuar në këtë komunë.

“Të rinjtë dhe të rejat kapin rrugën për në diasporë ku kërkohen për momentin në një masë të madhe ose përfundojnë në puna të thjeshta. Ne kemi raste kur ka me master dhe që punojnë si kamerier”, ka deklaruar Shqiprim Arifi, kryetar i komunës së Preshevës.

Sipas tij, çështja e njohjes së diplomave nga ana e Serbisë do të duhej të ishte një çështje primare në dialogun Kosovë-Serbi. Ndonëse thotë se BE-ja është e informuar, sipas tij mosnjohja e diplomave nga Serbia do vazhdojë të jetë evidente deri në arritjen e një marrëveshje reciproke për njohjen e diplomave.

“Të gjithë janë të informuar si pala kosovare, ashtu edhe pala e Serbisë por edhe pala ndërkombëtare, ajo e Bashkimit Evropian. Por përderisa nuk ka një marrëveshje ndërkombëtare ku bëhet njohja reciproke, ky problem do të vazhdojë të jetë”, ka thënë Arifi për Portalin Dukagjini.

Megjithëse një çështje e tillë vazhdon të jetë evidente, Arifi mendon se çështja e diplomave jo të pranuara nga Serbia nuk është adresuar mjaftueshëm nga pala kosovare në dialogun e Serbisë.

“Jo vetëm unë që kam biseduar por edhe kolegët që i kam, edhe ata para meje kanë njoftuar institucionet në detaje me vite tash më shumë se një dekadë për çështjen e diplomave jo të pranuara nga ana e Serbisë në Luginë të Preshevës. Esenca e një dekade dialog është që Lugina e Preshevës në përgjithësi është neglizhuar edhe nga pala e Kosovës por edhe nga Serbia po se po”, ka deklaruar Arifi.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi

Një problematikë e tillë ishte evdiente edhe përgjatë mandatit të kryetarit të Këshillit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi. Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Mustafi ka thënë se ndonëse kjo problematikë është adresuar, e njëjta nuk ka gjetur zgjidhje tash e 14 vjet duke pësuar kështu 14 gjenerata, e në mesin e tyre edhe ai.

“Çështjen e kemi adresuar, jo vetëm para institucioneve të larta zyrtare në Kosovë, po edhe në Serbi dhe madje është pjesë e raportit të Këshillit të Evropës, BE-së dhe DASH-it. Megjithatë, ende nuk është zgjidhur tashmë për 14 vjet, 14 gjenerata kanë pësuar sa i përket mosnjohjes së diplomave nga Kosova e me ç’rast, edhe unë personalisht”, ka thënë Mustafa.

Krahas kësaj, Mustafi ka thënë se një akt i tillë ka shkaktuar dëme të pariparueshme dhe njëherit, të përhershme.

Megjithëse Republika e Kosovës vazhdon të tolerojë strukturat paralele, Serbia nuk e njeh akoma shtetësinë e Kosovës.

Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Përpos marrëveshjes në Bruksel, ekziston edhe një “më e freskët” lidhur me njohjen reciproke të diplomave në mes dy vendeve, por e njëjta gëzon mosfunksionalitet.

Marrëveshja e Uashingtonit, marrëveshje kjo e nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në shtator të vitit 2020, parashihte normalizimin ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë. Krahas kësaj, edhe njohjen reciproke të diplomave.

Marrëveshja ishte nënshkruar në prani të Donald Trump, tashmë ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika