Mungesa e rezultateve, kërkohet përfshirja e SHBA-së në dialogun e Brukselit

Bashkimi Evropian po kritikohet për paaftësi në drejtimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas takimit të fundit që nuk solli ndonjë pajtim mes palëve, njohës ndërkombëtarë të integrimit evropian kërkojnë përfshirjen direkte të SHBA-së në proces. Sipas tyre, një veprim i tillë do ta rriste besimin dhe neutralitetin në dialog

Bisedimet e pafrytshme të kësaj jave në Bruksel kanë ngritur dilema e paqartësi për mënyrën e vazhdimit të dialogut.

As këtë herë, Kosova dhe Serbia nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes bazike të arritur në fillim të vitit.

Për ngecjen e procesit, në kryeqendrën evropiane ka vlerësime se përgjegjësi kryesor është vet Bashkimi Evropian.

Eksperti ndërkombëtar i integrimit evropian, Johann Weick e sheh të domosdoshme përfshirjen direkte të SHBA-së.

“Nuk ka asnjë përparim, ka një lloj vështrimi të situatës, kështu që në një moment duket se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të dialogojë, të mbajë dialogun në drejtimin e duhur. Kështu që ndoshta është koha për të përfshirë një partner tjetër, le të themi Shtetet e Bashkuara që janë ndoshta një partner më neutral dhe më i besueshëm sepse SHBA mund të japë një sinjal të fortë. SHBA ka një ushtri të fortë e cila mbështet NATO-n dhe është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet mjaft shpejt, sepse dhe viti i zgjedhjeve presidenciale në SHBA nis gjatë nëntorit dhe kjo do të thotë se politika amerikane do të merret me çështje të brendshme”, thotë Johann Weick, Ekspert i integrimit evropian.

 Në thelb, sipas Weick, BE-ja nuk e kupton plotësisht natyrën e mosmarrëveshjeve mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

“Bashkimi Evropian nuk e di se çfarë po ndodh. Kjo është diçka që nënvlerësohet, ata nuk morën mësim. I gjithë Ballkani duke nisur nga vitet e 90-ta, fillimisht më 1992 në Bosnje, pastaj me marrëveshjen e Dejtonit në 1995, dhe gjatë viteve 98-99 në Kosovë, ishte vazhdimisht në vëmendje të amerikanëve. Bashkimi Evropian, më vjen keq ta them, nuk ishte askund. Ata me sa duket nuk e kanë idenë se ky është një konflikt etnik midis shqiptarëve dhe serbëve që janë shumicë në katër komunat veriore të Kosovës”, shtoi ai.

Në këtë, situatë Weick shton se nevojitet një zotim i fortë nga ana e Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian duhet të marrë një angazhim. Ata duhet të thonë në rregull ne jemi të përkushtuar ndaj Kosovës, ne do të donim ta zgjidhim këtë çështje sepse shohim që ekziston rreziku i përshkallëzimit. Kështu që është e rëndësishme që nëse jo Joseph Borrell atëherë ndoshta Ursula von der Leyen ose dikush tjetër ta bëjë të qartë që ne jemi të fokusuar në Kosovë dhe nuk do t’ju lëmë vetëm”, u shpreh Weick.

Por, eksperti evropian thekson se dy shtetet po ashtu duhet ta kuptojnë rëndësinë e të drejtave të pakicave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq insiston në themelimin e Asociacionit si veprim të parë, derisa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti hapat e ardhshëm janë vazhdimi i bisedimeve për implementimin e marrëveshjes në mënyrë “të sekuencuar”, përkatësisht zbatimin e nenve të saj ashtu siç janë radhitur në Marrëveshjen bazike për normalizimin e marrëdhënieve.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika