Emisioni “Jeto” me Xheneta Asllanin çdo të mërkurë trajton çështje të ndryshme që ndikojnë në shëndetin mendor.
Këtë javë bashkë me psikologun Vigan Behluli, u diskutua rëndësia e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit tek individi.
Psikologu e cilësoi vetëvlerësimin si një tentativë t’i japim etiketim vlerave dhe aftësive tona, se sa mund t’i realizojmë ato në raport me qëllimet tona jetësore. Vetëbesimi sipas tij, reflekton vetëvlerësimin, është një zë i brendshëm që mund ta cenojë apo përforcojë egon tonë, që të ndërmarrim hapa drejt realizimit të qëllimeve tona.
Për rritje të vetëbesimit, theksoi Behluli, duhet ta kemi një ambient të sigurt, ku individi shtyhet që t’i realizojë pasionet, ka përkrahje që të provojë gjëra dhe t’i ndjekë ëndërrat, duke u bazuar në atë se çfarë mundet, dhe jo çfarë nuk mundet.
Psikologu deklaron se cilësia e prindërimit ka ndikim në masën e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit, mirëpo nuk është faktori i vetëm. Ai thekson se pranimet e gabimeve të fëmijëve ndikojnë që të krijohet një ambient i sigurt që fëmija të ndihet i pranuar dhe i përkrahur. Një ambient i tillë ndihmon që ai ta ketë shtytjen fillestare që përgjatë jetës ndikon që të ketë vetëbesim dhe vetëvlerësim më të shtuar.
Në uljen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit tek një fëmijë apo adoleshent, sipas Behlulit, ndikon mungesa e sigurisë elementare në familje, një ambient ku nuk mund të flasin lirshëm, pastaj bullizmi në shkolla, përqeshja nga bashkëmoshatarët. Të gjitha këti ndikojnë që personi të mos e ketë sensin e përkatësisë, pasi nuk mund të identifikohet me ndonjë grup dhe ndihet i lënë anash.
Behluli nënvizon se mungesa e vetëbesimit mund ta përgjysmojë realizimin e potencialit individual, duke frenuar rritjen dhe lulëzimin e individit. Ai theksoi se ka edhe vetëbesim të tepruar, që vjen nga disa frika që mundohemi t’i tejkompensojmë, gjë e cila e ka rrezikun e vet, mirëpo sipas tij, mungesa e vetëbesimit e ka pasojën më të madhe, duke kufizuar individin ta arrijë një jetë kualitative.