Në këtë klinikë trajtohen personat të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda.
Onkologjia ku shpresën e gjejnë pacientët e diagnostifikuar me kancer nuk po duket të jetë zgjidhja e tyre.
Një prej barnave për trajtimin e kësaj sëmundje “Pembrolizumab” nuk erdhi për të gjithë pacientët.
Një qytetare që ka një familjar duke u trajtuar në këtë klinikë, mbrëmë ka treguar rastin publikisht.
“Nga 80 ampula sa duhet të furnizohet Klinika e Onkologjisë sa i kanë të planifikuara dhe të kontraktuara, sot pas një jave vonesë klinikës i kanë ardhur vetëm dhjetë. Në mesin e atyre 80 pacientëve që presin ta marrin ilaqin janë përzgjedhur dhjetë të cilët në tentativat më të vrazhda për mbijetesë e kanë kuptuar me rrugë joformale që ilaqi vjen sot andaj kanë zënë dyert e klinikës para se ilaqi te zbarkoj në klinikë. Ne të 70- tët që e kuptuam me vonesë e vrapuam të marrim ilaqin, nuk ishim me fat”, ka thënë Brovina.
Për këtë çështje, televizioni kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë e Shërbimi Spitalor, Klinik Universitar.
Por këto dy institucione kanë rekomanduar që të kontaktohet Onkologjia.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Arben Bislimi, ka thënë se nga këto ampula janë trajtuar pesë pacientë dhe jo 10 prej tyre.
“Mungesa e këtij preparati është pikërisht për shkak të kësaj rrethane se kemi rritje të numrit të pacientëve në përgjegjësi të sëmundjeve malinje. Vitin e kaluar planifikimi kryesisht për këtë preparat është bërë për melanoma që zakonisht ka numër më të vogël por tashi ky preparat po përdorët edhe për patologji të tjera”, ka shtuar Bislimi.
Ndër të tjera Bislimi tha që po presin që ampulat e tjera të vijnë së shpejti.
Ndërsa, sipas anëtarit të komisionit parlamentar për shëndetësi nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu e gjithë kjo situatë vjen si pasojë e keqmenaxhimit.
“Sigurisht kemi të bejmë më një keqmenaxhim ku tregun e produkteve medicinale merren njerëz të papërgjegjëshem që kanë marr me udhëheq sektorin e shëndetësisë dhe për cdo ditë janë duke e degraduar këtë sektor”, ka theksuar Haxhiu.
Mënyra e shpërndarjes së këtij medikamenti specifik vlerësohet diskriminuese nga Shoqata e Pacientëve.