Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për shkak të mosratifikimit të marrëveshjes ndërkombëtare nga opozita, është bllokuar projekti që ka të bëjë me financimin në vlerë prej 80 milionë eurosh për Termokosin.
Në një postim në Facebook, Murati ka thënë se projekti parasheh rritjen e kapacitetit të ngrohjes qendrore përmes energjisë së ripërtëritshme, si dhe zgjerimin e rrjetit në shumë lagje të Prishtinës.
“Qeveria tash e një vit ka siguruar financimin në vlerë prej 80 milionë euro për Termokosin. Me fjalë tjera, financimi për zgjerim të rrjetit ekziston. Por projekti po mbahet i bllokuar sepse nuk po ratifikohet marrëveshja ndërkombëtare si rezultat i bllokadës nga opozita në Kuvend, e për ratifikim duhen 80 vota”, ka thënë ai.
Ministri Murati ka theksuar se nëse është dikush që po bllokon projektet madhore, sipas tij, janë pikërisht partnerët e koalicionit qeverisës në Prishtinë.
Ai i është drejtuar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, që “në vend se të bëjë akuza të pabaza drejt Qeverisë, bën mirë të kërkojë nga partnerët e tij të koalicionit që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes që ia siguron 80 milionë euro Termokosit dhe qytetarëve të Prishtinës”.