Murati u reagon akuzave e kritikave të LDK-së: Po bëjnë propagandë

"Janë çu i madh e i vogël në LDK tash e disa ditë duke dredhë numra e grafikona, vetëm e vetëm që t’a bindin ndokë se rrenat e tyre janë të vërteta"

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj, Lumir Abdixhikut, pas kritikave e akuzave për Qeverinë për mosinvestime kapitale, tenderët njëburimorë e disa çështje të tjera në aspektin e ekonomisë dhe të mirëqenies së qytetarëve.

Sipas Muratit, ajo çka po bën LDK-ja, është “definicioni i propagandës”.

“Janë çu i madh e i vogël në LDK tash e disa ditë duke dredhë numra e grafikona, vetëm e vetëm që t’a bindin ndokë se rrenat e tyre janë të vërteta.  Në fakt, kjo çfarë po bën LDK-ja është vetë definicioni i propagandës – që një rrenë duhet të përsëritet mjaftueshëm derisa të fillojë të bëhet e besueshme”, ka shkruar Murati.

Ndërsa sa u përket investimeve kapitale, Murati ka thënë se “të vërtetën e thotë raporti zyrtar financiar, i cili edhe auditohet”.

“- investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 janë 561 milionë euro.

Lumiri në anën tjetër po mundohet të na bindë që kjo nuk qenka e vërtetë sepse sipas tij ne i paskemi llogaritë edhe investimet e realizuara nga komunat, e që sipas tij “shumica udhëhiqen nga LDK-ja”.

“E para, investimet kapitale buxhetore çdoherë llogariten duke përfshirë të gjitha nivelet. Për analiza më të detajuara, mund edhe të bëhet zbërthim në mes të nivelit qendror a lokal, e madje edhe njësi për njësi. Ju mund të bëni çfarëdo zbërthimesh që doni, përderisa e shpalosni saktë se çfarë shifra po prezantoni. Por kushdo që thotë se investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 nuk janë 561 milionë euro, po e thotë të pavërtetën.

E dyta, nëse investimet kapitale të komunave në vitin 2023 qenkan 210 milionë euro, kurse në vitin 2017, që LDK-ja e merr si referencë, kanë qenë 110 milionë euro, atëherë demantu për demantu, kjo e demnaton vetëm propagandën e opozitës që komunat nuk po përkrahen me buxhet nga Qeveria Kurti. Pra me fjalë të veta, LDK po e pranon që në Qeverinë Kurti komunat kanë pasur dyfish më shumë buxhet sesa kur ka qeverisur LDK-ja.

Dhe e treta, Lumiri na bën pak me humor për investimet kapitale në komunat e LDK-së 🤦‍♂️. Në Komunën e Prishtinës, ku deri së fundmi i kishim bashkë LDK e PDK, dhe ku e kishin shansin ideal të tregonin shembullin se sa të aftë janë për qeverisje, për vitin 2023 realizimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë 42%. Vetëm Fushë Kosova është më keq. Këtu me sa shihet nuk u ka ndihmuar fare as konsulenca e shtrenjtë deri në abuzim, në vlerë 12 milionë euro. (A na tregon Lumir cili është rezultati i kësaj konsulence tash e një vit, me kosto 4 milione euro/vit?)”, ka shkruar ministri i Financave.

Murati ka reaguar edhe për tenderët njëburimorë, për të cilët u debatua shumë edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Për tenderët, të vërtetën e thotë ligji për prokurim publik, më saktësisht nenet 34 dhe 35 për Kontratat me Negocim Direkt. Pra secili prokurim me negocim direkt e ka bazën në ligj.

Por Lumiri, flet për “tenderë sekret” a “tenderë njëburimorë” vetëm e vetëm që të krijohet përshtypja tek qytetari që nuk e njeh ligjin e prokurimit, se paska diçka në këtë far pune. Mirëpo Lumiri ka mjaftueshëm njohuri sa ta dijë që këto shprehje “sekret” e “njëburimorë” as nuk ekzistojnë fare në ligj, dhe as nuk përshkruajnë saktë kontratat e negociuara, sepse mund të ketë negocim edhe me më shumë se një operator. Dhe megjithatë Lumiri i përdorë këto shprehje. Pra çfarë tjetër mund t’i thuhet kësaj, kur dikush qëllimshëm mundohet të deformojë të vërtetën, përveçse propagandë Lumir?!

Lumiri flet edhe për mbi 200 milionë euro kontrata të qeverisë, duke mos treguar qëllimshëm se bëhet fjalë për 3 vite, dhe duke mos përmendur se ministritë e komunat përbëjnë më pak se gjysmën. Por nëse flitet e vërteta atëherë nuk i zgjon kurreshtjen askujt. Fundja, rrena duhet të jetë aq shokuese saqë qytetari të mendojë se për një gjë kaq të madhe nuk do të bëhej hajgare. Pra kur përmenden “200 milionë euro tenderë sekret”, diçka duhet të ketë aty, mund të mendojë ndokush”, ka shtuar Murati.

Murati, gjithashtu, ka thënë se profile fallco pëlqejnë postimet e të parit të LDK-së, kështu duke e kritikuar për propagandë.

“E kam shikuar në ministrinë që drejtoj, dhe prokurimi më i madh përmes kontratës së negociuar ishte për sigurimin dyvjeçar të mirëmbajtjes së sistemit të menaxhimit të financave publike (sistemi kryesor financiar i shtetit). Kontrata e tillë mund t’i ipet vetëm operatorit që ka dizajnuar sistemin, sepse nuk mund të shpallet tender për mirëmbajtje të një sistemi që vetëm një operator mund t’a ofrojë. Kjo është bërë kështu edhe kur kanë qenë ministra e qeveri tjera, sepse s’mund të bëhet ndryshe. Por Lumiri tash kësaj i thotë “tender sekret”, sepse ashtu e don propaganda.

Dhe për fund, për t’i vënë kapak propagandës, mjafton të shikoni pëlqimet në statusin e Lumirit. Shumica dërmuese e personave që kanë pëlqyer postimin e tij janë profile false.

Nuk bën kështu, Lumir. Kjo do të të falej nëse garon për kryetar klase, por kjo nuk është e denjë për dikë që pretendon të garojë për kryeministër”, ka përfunduar Murati.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika