Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për mospublikimin e plotë të aktgjykimit lidhur me Ligjin për Pagën Minimale.
Vendimi i gjykatës në fund të qershorit i dha të drejtë Qeverisë së Kosovës për Ligjin për Pagën Minimale, por aktgjykimi i plotë ende nuk është publikuar, më shumë se një muaj pas njoftimit fillestar, gjë e cila ka nxitur Muratin të reagojë.
“Aktgjykimi i plotë për Ligjin për Pagën Minimale ende nuk është publikuar, megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese që konstaton se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën”, ka shkruar Murati.
Murati, në një postim në Facebook, theksoi se dhjetëra mijëra të punësuar kanë pritur tash e një vit hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe rritjen e pagave të tyre. Ai vuri në dukje se vonesa e gjykatës gjatë shqyrtimit, e cila zgjati 11 muaj, ka shtyrë më tej zbatimin e ligjit.
“Janë me dhjetëra mijëra të punësuar që po e presin tash e një vit hyrjen në fuqi të këtij ligji, e me të edhe rritjen e pagës së tyre. Sikur të mos mjaftonte vonesa prej 11 muajsh përgjatë shqyrtimit, ligji ende nuk është në fuqi për shkak të mos-publikimit të aktgjykimit të plotë”, ka shkruar Murati në Facebook.