Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, në seancën e 7 tetorit në Kuvendin e Kosovës ka thënë se ka mungesë të informatave se si të përgatiten qytetarët dhe bizneset, e sipas tij, kjo po shkakton panik.
Ai ka pyetur ministrin Hekuran Murati për nivelin e investimeve kapitale dhe nivelin bankar në Kosovë.
Murati është përgjigjur duke thënë se çështja e investime kapitale ka ngecje për shkak të inflacionit, problem të cilin e kanë edhe komunat.
Ndërsa për nivelin bankar, ai ka thënë se ka mjete që janë të rezervuara për kohë krizash.
“Në këto kohë krizash, një qeveri e përgjegjshme duhet të ketë rezervë në nivelin bankar”, gjersa ka shtuar se mjetet janë të dedikuara edhe për projekte kapitale.
Ndërsa, Hoti i është kundërpërgjigjur duke i thënë se nuk ka kërkuar debat por vetëm përgjigje, “Fjalori i tillë me mua nuk të shkon, nuk mund të arsyetosh të mbash 800 milionë në bankë”, sepse sipas tij çdo ministër i Financave e di se sa janë shpenzimet kapitale dhe sa është niveli bankar.