Murati: Shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë barabartë nëpër të gjitha komunat

Instituti GAP i ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2023, duke i krahasuar ato me vitin 2022. Analizën e këtij instituti, ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka quajtur të padrejtë

Ministri i Financave, Hekuran Murati





Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj raportit të Institutit GAP, i cili ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2023, duke i krahasuar ato me vitin 2022.

Murati ka thënë se ngarendja pas titujve senzacionalë, mund të rezultojë edhe me këso konstatime që fare nuk përkojnë me realitetin, por që shumë lehtë dezinformojnë qytetarët duke krijuar përshtypje për ndarje të padrejtë të buxhetit për investime kapitale, që për vitin e ardhshëm do të jetë 811 milionë euro.

“Konstatimi në titull u referohet projekteve që në total bëjnë 12 milionë euro, e që nga 811 milionë euro sa është buxheti total për investime kapitale i bie më pak se 1.5%. Larg me 52%-shin bombastik e dezinformues në titull”, ka shkruar Murati në Facebook.

Sipas tij, shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat, përmes grantit qeveritar.

“Pjesa tjetër e buxhetit është alokim shtesë nëpër projekte ekzistuese që janë zvarritur me vite të tëra e nuk janë përfunduar kurrë, sepse qeveritë e kaluara i kishin nisur pa buxhetin e mjaftueshëm”, shkroi ai, teksa shtoi se “as kjo nuk është reflektuar në këtë analizë”.

“Kushdo që është i interesuar të dijë më shumë për buxhetin, mund të na bashkohet në takimet që po mbajmë me qytetarë nëpër komuna, ku shpalosim shumë detaje e plane për vitin 2023”, ka thënë ai.

Ndryshe, GAP ka gjetur se 3.2 miliardë euro janë shpenzime, një rritje prej 464 milionë euro krahasuar me vitin 2022.

75 milionë euro më shumë janë ndarë për paga dhe mëditje më 2023, prej të cilave 65.1 milionë euro si kontigjencë për të mbuluar koston e një ligji të ri për pagat.

GAP ka gjetur se janë krijuar 1,435 vende të reja të punës në sektorin publik, prej të cilave 300 vende shtesë në Policinë e Kosovës, 108 në Kuvendin e Kosovës, 86 në Komunën e Prishtinës, 44 në Komunën e Prizrenit, etj.

“Nga 810.7 milionë euro sa pritet të jenë investimet kapitale, 611.4 milionë euro (75%) janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 199.3 milionë euro (25%) janë planifikuar për projekte të reja kapitale”, thuhet tutje në njoftim.

GAP thotë se Qeveria favorizoi komunat e managjuara nga LVV në ndarjen e buxhetit për investimet e reja kapitale.

“Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna; 52% e kësaj shume (12 milionë euro) do të orientohet tek komunat e udhëhequra nga LVV, komuna që mbulojnë 9% të territorit dhe 8% të popullsisë”.

“Ndërkaq, në komunat e udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vërehet një ndarje më e balancuar e buxhetit në raport me madhësinë e komunave dhe popullsisë”.

komunat e udhëhequra nga AAK do të përfitojnë vetëm 1% të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror përkundër se ato mbulojnë 8% të territorit të Kosovës dhe përfaqësojnë 8% të popullsisë”

75 milionë euro janë ndarë si kontigjenca për përballjen me krizën potenciale të energjisë.

“Përkundër asaj se buxheti për shëndetësi dhe arsim pritet të rritet në vitin 2023, prapë se prapë mbetet nën mesataren e BE për shpenzimet në këto fusha si përqindje e BPV”, thuhet në këtë raport.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika