Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha, ka thënë se gjatë vitit 2022 ka tendencë të rritjes së rasteve të reja nga tuberkulozi.
Sipas tij, në Klinikën Pulmologjike të Qendrës Universitare të Kosovës (QKUK), 16 pacientë vuajnë nga kjo sëmundje.
Musa Hoxha ka thënë se pandemia COVID-19 ka bërë që rastet e reja me tuberkuloz të mos evidentohen me kohë.
“Pasi është qetësuar pandemia kemi për ditë raste më tepër edhe me tuberkuloz edhe me kancer të mushkërive… Si tendencë dhe si trend ka rritje të sëmurëve edhe me kancer, por edhe me tuberkuloz si tendencë, tash për momentin një repart e kemi ‘repartin B’ që pothuajse 99% janë me tuberkuloz….”, ka thënë Hoxha për KP.
“Përafërsisht janë 16 pacientë me tuberkuloz… Numri i atyre me kancer të mushkërive është 12-13 për momentin”.
Drejtori i Klinikës Pulmologjike, Musa Hoxha, ka theksuar mungesën e antituberkularëve.
“Sa i përket pajisjeve me barna dhe material shëndetësor edhe gjatë kohës së pandemisë ka qenë furnizimi mjaft i kënaqshëm, por edhe tani kemi në përgjithësi barnat kryesore, thuajse i kemi aty këtu ndonjëherë mund të na mungojë ndonjë bar vitaminoz apo diçka që nuk çon peshë… Aktualisht me antituberkular jemi në stoqet e fundit dhe prej informatave të Fondit Global thonë se do të bëhet furnizimi së shpejti me antituberkular”, ka përfunduar Hoxha.
Në këtë klinikë marrin trajtim mjekësor 63 pacientë, të cilët janë në gjendje stabile.