Analisti politik, Imer Mushkolaj, e ka komentuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ai në Debat Plus, ka thënë se themelimi i Asociacionit është obligim për shtetin e Kosovës, për shkak se është miratuar në Kuvendin e Kosovës nga shumica e deputetëve.
Edhe pse gati e pamundur, ai ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje ta zhbëjë këtë Asociacion nëse munden dhe nuk i pëlqen.
Mushkolaj ka thënë se nuk duhet të krijohet iluzion se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Po flasim për një nga komponentët e marrëveshjes 2013, e cila u ratifikua në Kuvend. Kosova me vetëdije apo jo të atyre që e kanë votuar, me kundërshtimin e VV-së apo dikujt tjetër, e kemi marrë obligim si shtet, është fakt, është obligim. Nëse nuk është kështu, nëse nuk ju pëlqen, atëherë urdhëroni zhbëjeni. E kuptoj deputetin Rexhaj që duhet gjysma e deputetëve të komunitetit serb, ajo është e pamundur, është në interesin e tyre të vazhdojnë përpjekjet për Asociacionin”, ka thënë ai.
Mushkolaj ka theksuar se kërkesa e ShBA-së nuk është se “a duhet të zbatohet Asociacioni” por “por dhe si të formohet”.
“Qëndrimi i ShBA-ve nuk është a duhet të zbatohet, por që Asociacioni të zbatohet. Nuk flasim më a duhet a nuk duhet, prej momentit që e ka pranuar kuvendi si marrëveshje ndërkombëtare, ka përfunduar puna se a duhet a jo të pranohet, prej atëherë flitet si të zbatohet”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se plani evropian e ka brenda edhe themelimin e Asociacionit, derisa shtoi se LVV-ja nuk është përgjegjëse për të, porse, sipas tij, një nga kauzat e saj para zgjedhjeve ka qenë që nuk do të themelohet.