I mahnitshëm dhe i pashoq, adoleshenti gjerman, Jamal Musiala, tani ka etiketën si “Lionel Messi i ardhshëm”.
19-vjeçari luajti një rol kyç në shtyrjen e Gjermanisë të udhëhequr nga trajneri, Hansi Flick, në një pikë vendimtare të dielën, teksa ata luftuan për të ardhmen e tyre në Kupën e Botës, në një barazim të tensionuar 1-1 me Spanjën.
Dhe, derisa paraqitjet e katër herë kampionëve të botës në turne, kanë qenë jo shumë të mira, paraqitjet individuale të Musialës kanë theksuar sërish se çfarë talenti i madh është ai, raporton BBC.
Mesfushori sulmues i Bayern Munichut, i cili kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Angli, por zgjodhi të luante për vendin e tij të lindjes, ka qenë drita shkëlqyese për Gjermaninë në Katar.
Në fund të Grupit E me një pikë, ata tani duhet ta mundin Kosta Rikën të enjten, dhe të shpresojnë se lideri, Spanja, mund të mposhtë Japoninë për të shmangur një eleminim të dytë radhazi në raundin e parë të Kupës së Botës.
Por ish-kapiteni i Gjermanisë, Lothar Matthaus, thotë se Musiala është çelësi i shpresave të tyre, tani dhe në vitet në vijim.
“Ai mund të jetë Messi i së ardhmes, ai është i shkëlqyer”, tha Matthaus, një fitues i Kupës së Botës në vitin 1990, për BBC Sport.
“Unë e kam dashur atë për dy vitet e fundit, e dua stilin e tij të futbollit dhe e dua personalitetin e tij.
“Ai është 19 vjeç, po bën gjërat që do ta bëjnë një futbollist të mirë. Ai ka pasime të shkëlqyera, është i zgjuar me të menduarit e tij dhe e do futbollin”.
“Musiala mund të jetë Messi i radhës, sepse kur Messi ishte 17/18 vjeç, e takova për herë të parë kur luajti kundër Hungarisë [skuadra që unë menaxhova atëherë] dhe ai u përjashtua pas 40 sekondash”.
“Ai doli në fushë dhe u përpoq të tregonte se e do futbollin, ai ka një pasion për futbollin, ‘Jam i lumtur që jam këtu’, dhe ky është [edhe] Musiala. Unë kam qenë një fans i madh i tij që nga dy vjet më parë, kur depërtoi për herë të parë”.
Shifrat mbresëlënëse të Musialës të dielën mbrëma përfshinin 84% saktësi pasimi, 100% krosime të përfunduara, shtatë duele të fituara në tokë, tre pasime kyçe dhe asistimin për barazimin e vonë të Niclas Fullkrug.
Musiala është tashmë golashënuesi më i ri i Bayern Munich, golashënuesi i dytë më i ri i Gjermanisë dhe më i riu që ka luajtur për Gjermaninë në një turne të madh kur u paraqit në Euro 2020.
Tani, ai po mendohet të ketë një ndikim edhe më të madh në skenën botërore.
Ish-trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, tha për BBC One “Për mua, Jamal Musiala është një nga lojtarët e rinj më të talentuar”.
“Me Gavi, me Jude Bellingham, Pedri, ai është një talent masiv. Unë mendoj se ai do të rritet gjatë Kupës së Botës. Unë mendoj se Gjermania mund të befasojë”.
Ish-menaxheri dhe sulmuesi i Gjermanisë, Jurgen Klinsmann shtoi “Mendoj se Musiala ishte lojtari i jashtëzakonshëm për Gjermaninë.
“Ai është plot me elementë befasues, ai nuk ka frikë. Ai është një lojtar i ri fantastik që rritet përmes sistemit të Bayernit. Është Kupa e tij e parë Botërore dhe ai vetëm do të rritet gjithnjë e më shumë”.
Çfarë do të ndodhë më pas për të riun e lindur në Shtutgart, i cili iu bashkua Bayernit në vitin 2019 në moshën 16-vjeçare pasi kaloi akademinë e Chelseat dhe luajti për Anglinë në nivele të të rinjve?
Kontrata e tij zgjat deri në vitin 2026 me Bayernin, dhe gazetari gjerman, Archie Rhind-Tutt, beson se ai është i çmuar për gjigantët gjermanë.
Ai i tha BBC Radio 5 Live “Unë mendoj se ky është një shans i vërtetë për të, që të njoftojë ardhjen e tij në një skenë të madhe dhe të shohë nëse ai mund ta tërheqë këtë ekip atje ku nuk ka funksionuar vërtet për Gjermaninë, duke shkuar përpara kohët e fundit. Unë do të thoja ky është një shans i vërtetë për të që të forcojë reputacionin e tij.
“Është folur në shtypin gjerman se ai është thjesht i pashitshëm në Bayern deri në pikën ku as 400 milionë euro nuk do të mjaftonin për Jamal Musialën.
“Kjo është mënyra se si po flitet për të, ai është e ardhmja e këtij klubi. Ka shumë gjëra në lojën e tij që e bëjnë atë kaq të mirë. Edhe kur kundërshtarët përpiqen ta ndalojnë atë, siç e kemi parë me Lionel Messin gjatë viteve, ai nuk ndalet. Ai është me të vërtetë i mahnitshëm”.