Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka filluar fjalën e saj me falënderim ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për fjalimin e tij kundër Gjykatës Speciale, në Këshillin e Evropës.
Musliu tha se atë që do të duhej ta bënte Kosova, po e bën Edi Rama. Sipas saj, jo vetëm Qeveria e Kosovës, por e gjithë shoqëria kosovare është duke heshtur karshi, siç i ka cilësuar ajo, padrejtësive të Gjykatës Speciale.
“Dua që përmes Kuvendit t’i them faleminderit kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Rama po e bën atë që do të duhej ta bënim ne, ne po heshtim, si politikë, si media, si shoqëri civile, si shoqëri në tërësi, që nga fillimi pati pak zëra kundër akuzës në adresë të luftës sonë dhe pati më pak zëra kundër gjykatës speciale”, ka thënë ajo.
Musliu e kritikoi edhe Parlamentin e Kosovës, duke thënë se ka heshtur ndaj akuzave apo cilësimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si “organizatë kriminale”.
“Me fillimin e punës u pa që ishte diçka tjetër, i thamë diçka tjetër sepse me të vërtetë nuk dimë si ta quajmë. Jam tronditur se pas përdorimit të terminologjisë organizatë kriminale, parlamenti jonë heshti dhe po vazhdon të heshtë edhe sot”, ka thënë ajo.
Po ashtu, deputetja e PDK-së ka thënë se Qeveria e Kosovës po përdor propagandë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.