Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se sulmi me koktej molotovi në lokalin ku disa ditë më parë kishte qenë për vizitë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është inskenim nga ana e serbëve.
Ajo në “Debat Plus” ka theksuar se ky sulm nuk është bërë, sepse serbët janë kundër Qeverisë Kurti, por sipas saj është tendencë për të krijuar krizë në veri të vendit.
“Është inskenim nga akter destabilizues në veriun e Kosovës. Unë nuk mundem t’i them emrat kush e ka bërë, besoj Policia janë ata që duhet. E kanë bërë serbët këtë, është inskenim, nuk është se e kanë bërë, sepse i kanë kundërshtuar këta, është një tendencë për të prodhuar krizat e paqena në veriun e Kosovës”, ka deklaruar Musliu.
Para një jave, ministri Sveçla, së bashku me ish-kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, kishin qëndruar në lokalin që u bë cak i sulmit me koktej molotovi më 14 korrik.
Sipas policisë, dëmet materiale në lokalin e sulmuar janë të vogla.