Në seancën e 23 dhjetorit në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje në mes të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kjo përplasje erdhi pasi gjatë pyetjeve parlamentare deputetja Musliu iu drejtua kryeministrit Kurti se në cilën fazë ka arritur projekti për të cilin Kurti e kishte thënë se do të mundësojë banimin për 4 mijë familje.
“Në programin qeveritar keni thënë se do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje, në cilën fazë jeni me këtë projekt?”, ka thënë Musliu.
Ndërsa kryeministri Kurti ka thënë se ky projekt është ende në fazën e nënshkrimit të memorandumeve dhe se është gjetur një zgjidhje praktike për të vazhduar me projektin.
“Më duhet të theksoj që deri më tani vetëm komuna e Pejës e ka siguruar një parcelë deri më tash, modeli financiar është i realizuar”.
“Përkundër qeverisjeve të kaluara që është marrë pak kohë në planifikim e përgatitje, e shumë kohë në ekzekutim, ne kemi marrë shumë kohë në planifikim”, ka vijuar Kurti.
Sipas tij, fakti që komunat nuk i kanë të gjitha të dhënat për parcelat, kjo nuk flet për qeverinë, por për komunat.
“Marrim kohë në planifikim e mendim që ekzekutimi të jetë i shpejtë”.
Ndërsa pastaj Kurti i është kundërpërgjigjur deputetes Musliu duke i thënë ” Ju mthatë që nuk ju përgjigja. Unë e kam vetëm një pyetje për ju. A dini të më tregoni çka ju tregova”?
Ndërsa deputetja Musliu ka thënë se “Ky hajgarexhia këtu 40 për qind të elektoratit të tij i ka quajtur analfabetë funksionalë, i cili e ka bërë shtetin llugë, nuk i shiten më mashtrimet e rrenat, je vetëm një hajgarexhi”.