Ish-i burgosuri politik, Murat Musliu, ka rrëfyer në emisionin “Debat Plus” se si u torturua në burgun e Leskofcit nga udbashi, Asllan Sllamniku, që sipas tij ishte më i tmerrshmi nga të gjithë.
“Kanë ardhur prej Prishtinë, Asllan Sllamniku [ka qenë përgjegjës për grupin tonë] me neve ka pas punë ky”. Sllmaniku ishte më i tmerrshmi nga të gjithë. Sllamniku ishte i shoqëruar edhe nga dy të tjerë, njëri nga Republika e Serbisë e tjetri nga ‘federata” por nga Bosnja”, ka treguar ai.
Ai e ka kujtuar takimin e parë me Sllamnikun.
“..Më tha ‘e more Murat Musliu shteti e nxen leprin me kerr, ti dhe Gani Koci e keni kall Kosovën, shyme t’mujshi tash’”.
Musliu ka thënë se prej shqiptarëve Sllamniku ishte i vetmi njeri që e ka maltretuar gjithë grupin e tyre.
Musliu tutje ka thënë se bashkëpjesëmarrës në torturë ka qenë edhe një tjetër udbash me mbiemrin Ajeti dhe shumë të tjerë, por që nuk i kujtohen emrat.
Dhuna e Sllamnikut ndaj Murat Musliut nuk ishte ndalur deri në gjykimin e tij, i cili kishte zgjatur tri ditë në Prishtinë.
Pas vuajtjes së dënimit, Musliu ishte takuar me Sllamnikun, kur kishte vizituar Ali Lajçin, i cili kishte dalë nga burgu.
Aty ishin arrestuar sërish i gjithë delegacioni nga KMLDNJ-ja, LDK-ja dhe ish-të burgosurit, ku i kanë dërguar në Pejë të gjithë.
“Ai[Sllamniku] ka qenë kryeshef i UDB-ës në Pejë. Tha: a pe sheh që po takohemi apet..deri u kry lufta ka qenë shef i sigurimit në Pejë”.
Musliu ka rrëfyer edhe për format e torturave që u janë bërë.
“Na kanë shtre nëpër ato ulëset, njëri të ka majt, tjetri të ka godit kamëve zakonisht, fytyrës shpesh deri në alivanosje”.
Sipas Musliut, udbashët nga Prishtina me të tjerët kishin xhelozi mes vete dhe se nuk jepnin kompetenca.
Dhuna ndaj tyre, siç ka thënë ai, ushtrohej që nga orët e mëngjesit deri në orën 4 pasdite nëpër hapësirat e sigurimit.
Burgu i Leskovcit, sipas Musliut, ishte vendi ku kanë pësuar vuajtje shumë.
‘Kujtimin ma të trishtë në burgun e Leskovcit… aty unë kam qëndruar afër tri vite, s’ka pas ditë në vitin e parë që s’na kanë rrahur, s’ka pas asnjë ditë që nuk na kanë rreh… aty torturat, përjetimet, malltretimet më të rënda i kena përjetu në burgun e Leskovcit prej serbëve dhe sigurimit serb, na marrshin në pyetje si mos me u dënu hiç, sikur mos me pas aktgjykim”, ka rrëfyer Musliu.
Ai ka rrëfyer momentet e shkuarjes së udbashit Faik Nura nga Kosova në Leskovc të Serbisë për të marrë në pyetje secilin të burgosur, me qëllim të thyerjes së tyre.
“Më ka thënë… jam ardhë me të ndihmu…për me shku prej shpije”.
Musliu ka rrëfyer se i kishte thënë Nurës se “më para hypi në një pishë aty që ishte afër e bie me kokë në tokë, sesa që më ndihmon ti mua”.
Gjatë vuajtjes së dënimit ai ka thënë se afër 1 vit ka qenë nëpër qeli i izoluar.
Gjithashtu. Musliu ka rrëfyer se ishte takuar me udbashin, Shefqet Hashani, në burgun e Pozharevcit, i cili ishte i dënuar me 8 vjet burgim.
Musli ka thënë se ai ishte i burgosur për falsifikim të pasaportave sa ishte në ambasadën jugosllave në Frankfurt.