“Bordi i ZRRE-së ka marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ky shtrenjtim është i papërballueshëm për qytetarët. Ky shtrenjtim nuk i prek qytetarët e veriut të cilët po privilegjohen nga kjo Qeveri. Sot kam një kërkesë tjetër për një kategori të ndjeshme siç janë kategoritë e dala nga lufta që kjo Qeveri i ka lënë pas dore”.
Kjo ka qenë kërkesa e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, e cila ka kërkuar nga Qeveria dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) që t’i lirojë nga pagesa e rrymës kategoritë e dala nga lufta.
Musliu ka thënë se shtrenjtimi i rrymës është i papërballueshëm për qytetarët, ndërsa nga ana tjetër, ka thënë ajo, ai nuk i prek qytetarët e veriut të privilegjuar nga Qeveria.
“Kërkoj nga institucionet shtetërore që të nxjerrin një vendim që të lirohen nga pagesa kategoritë e dala nga lufta me theks të veçantë veteranët dhe invalidët”, ka thënë tutje Musliu.
Që nga 1 prilli në fuqi ZRrE-ja ka vendosur që energjia elektrike të shtrenjtohet për 15.4 për qind.