Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, teksa i është drejtuar ministrit të Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nuk e kanë idenë se si qeveriset.
Sipas saj, të vetmen gjë që kjo Qeveri aktuale e ka arritur, është mospajisja e qytetarëve me pasaporta.
“Sapo e dëshmove që jeni kot, nuk e keni idenë se si qeveriset. Të vetmen gjë që keni bërë në parandalimin e ikjes së qytetarëve nga Kosova është që i keni penalizuar duke mos i pajisur me pasaporta. Ua keni ndalë atyre të drejtën e tyre bazike që të pajisen me pasaporta, vetëm për ta ndalë fluksin e ikjes nga Kosova të njerëzve të trishtuar nga qeverisja juaj”, ka thënë ajo në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Musliu ka theksuar se krejt ajo çka Qeveria di të ruajë, është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Ju nuk dini të ruani asgjë. Krejt çka dini të ruani është Martin Berishaj, prandaj jeni çuar në këmbë i madh dhe i vogël që ta ruani atë, sepse ai është thesar për ju. Ju nuk dini se me çka përballohen qytetarët, çka përjetojnë ata, sepse ju e keni dëshmuar që e keni shkëputur komunikimin edhe me deputetët e juaj e lëre më me qytetarët. Keni ikur nga realiteti dhe kjo më nuk fshihet, dielli nuk mbulohet me shoshë, ka kaluar epoka juaj, qytetari nuk u beson më pallavrave tuaja. Ai familjen e tij e ka ikë nga vendi. Një kryeministër që nuk e sheh vendin e vet të denjë që t’i rritë fëmijët e tij nuk mund ta ndalë fluksin e ikjes”, shtoi ajo.