Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka mbrojtur vendimin e partisë së saj për ta kërkuar kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke thënë se mbrojtja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përgjegjësi kombëtare dhe shtetërore.
Përmes një postimi, Musliu ka thënë se PDK-ja, pas kritikave të ekspertëve dhe propozimit të organizatorit të protestave që presidentja ta kthente ligjin në Kuvend për rishqyrtim, e ka ndërmarrë zyrtarisht këtë hap.
“Mbrojtja e UÇK-së nuk është çështje e një partie, por përgjegjësi kombëtare dhe shtetërore.
Pas kritikave të shprehura nga ekspertë të ndryshëm dhe propozimit të organizatorit të protestave që Presidentja ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim, PDK-ja e bindur që ka bëre më të mirën e mundshme ka ndërmarrë sot këtë hap zyrtarisht, me përgjegjësi dhe vendosmëri.
Ne dëgjojmë argumentet, i marrim parasysh vërejtjet dhe jemi të gatshëm ta përmirësojmë ligjin, pa hequr dorë nga qëllimi ynë: forcimi i sigurisë juridike dhe garantimi i të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë.
Përmirësimi i ligjit nuk është tërheqje, por përgjegjësi. Angazhimi ynë vazhdon deri në hyrjen e tij në fuqi.
Paralelisht, do të vazhdojmë angazhimin për mbështetjen profesionale dhe financiare të mbrojtjes së çlirimtarëve tanë në Hagë.
UÇK-ja është historia jonë e lirisë, ndërsa mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare është zotim që nuk negociohet.
Nuk do t’i lëmë vetëm. As sot, as nesër!”, ka shkruar Musliu.
