Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Ganimete Musliu, në një konferencë për media ka thënë se, të premten e tetë korrikut do të dorëzohet në Kuvend nisma për hartimin e projektligjit për pensionim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës(IPK) me autorizime policore.
Sipas Musliut, kjo nismë e hartuar nga ana e PDK-së, është për arsye se ky ligj rregullon dhe përcakton kushtet për llojet e pensioneve, kategorizimin e pensioneve të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ajo ka shtuar se kjo nismë për hartimin e këtij projektligji është bazuar në Kushtetutën e Kosovës, dhe se është e domosdoshme pasi mosha mesatare e policëve është 47-vjeçare.
Sipas saj, edhe pse është mjaft e rëndësishme kjo nismë ligjore, Qeveria e Kosovës nuk e ka në programin legjislativ.
Ajo tha se PDK ka bërë edhe deklaratën financiare dhe natyrisht se ky projektligj ka kosto financiare.
Ndërsa, deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj, ka thënë se është e nevojshme që ky ligj të vijë në Kuvendin e Kosovës, pasi Policia e Kosovës duhet të jetë dinamike dhe më energjike.
Sipas tij, njësitet e Policisë së Kosovës duhet të ripërtrihen.
“Mosha mesatare e Policisë së Kosovës, është 47 vjet ose edhe më shumë, e të kthehet në shërbime tregon që është Polici e vjetër në moshë, ka nevojë që të përtrihet”, ka thënë Qalaj.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka njësi të shumta, njësi elite, speciale, që kanë nevojë të ripërtrihen.
Ai ka thënë ndër të tjera, që Policia e Kosovës duhet të ketë një pension të dinjitetshëm.
Qalaj shpreson se ky projektligj do të ketë mbështetjen edhe të grupeve tjera parlamentare.