Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu – Shoshi, ka thënë se letra e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për Asociacionin është adresuar në drejtim të gabuar.
Në emisionin “Rreth e Rrotull”, Musliu-Shoshi ka thënë se kjo letër nuk është dashur t’i drejtohet presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, por ministres të punëve të jashtme të Lihtenshtajnit që ka udhëheqjen e Komitetit të Ministrave.
“Kemi një letër e cila përveç në përmbajtje është joprofesionale, adresimi është gabim, i drejtohet presidentit të Asamblesë Parlamentare, ai e ka kryer punën e vet. Nuk ka asnjë anë protokollare, i drejtohet personit të gabuar, kur është një proces i përfunduar në asamble, është dashur t’i drejtohet ministres të punëve të jashtme të Lihtenshtajnit që ka udhëheqjen e Komitetit të Ministrave”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Ajo e ka cilësuar letrën e Gërvallës mashtrim për qytetarët e Kosovës.
“Kemi një letër që vjen nga Gërvalla e cila më shumë ishte e interesuar të merrej me luftën hibride të Rusisë në rajon e më gjerë, sesa të merrej me anëtarësimin në KiE”, ka vijuar ajo.
Ndryshe, dje, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin, të cilin pritet ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
Kjo është bërë e ditur në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.
Ajo ka njoftuar se në Kushtetuese do ta çojnë një draftstatut të përgatitur nga vetë qeveria dhe jo draftin evropian.
Sipas letrës së Gërvallës, qeveria po punon në një draftstatut të inspiruar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).
Mirëpo, kjo letër e Gërvallës është kritikuar shumë si nga opozita e shoqëria civile po ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe është konsideruar shumë e vonuar për anëtarësim të Kosovës në KiE.
Gjithashtu, edhe Presidenca e Kosovës ka reaguar për letrën e Gërvallës duke thënë se nuk janë koordinuar me Presidenten Osmani.
- “Dorëzohet” qeveria – po përgatit një draftstatut për Asociacionin
- “Krisje” mes Kurtit e Osmanit? – Presidenca nuk e përkrah letrën drejtuar KiE-së