Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për të vazhduar paraburgimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.
Në një postim në rrjetet sociale, Musliu theksoi se është koha që shqiptarët e Kosovës të ngrihen dhe të mbushin sheshet e Evropës për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së.
Ajo ka shtuar se vazhdimi i paraburgimit është një veprim i papranueshëm që përfaqëson një tjetër padrejtësi ndaj liderëve të UÇK-së.
“DHOMAT E POLITIZUARA TË KOSOVËS NË HAGË, paskan marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Kjo masë ndaj tyre është edhe një hap i rëndë e i papranueshëm i padrejtësive që bëjnë të ‘fortit’. Ka ardhë koha që shqiptarët e Kosovës edhe njëherë t’i mbushin sheshet Evropës për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur luftën çlirimtare”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ndërkaq, në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Kjo masë ndaj tyre është vazhduar përmes dy vendimeve të ndara nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Në arsyetimin e këtyre vendimeve thuhet se paneli ka konkluduar se vazhdon të ketë mungesë informacioni që justifikojnë gjetjet se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen në rast që lirohen, por që ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat e DhSK-së, kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtar të UÇK-së dhe dëshmitarëve.
Andaj, lidhur me këtë, ZPS-ja ka parashtruar se këto rreziqe mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit të DhSK-së.
“Lidhur me rrezikun e pengimit të përparimit të procedurave të DS-së dhe kryerjes së krimeve të tjera, Paneli mban qëndrimin se asnjë nga masat e parashikuara në Nenin 41(12) nuk mund të zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet ekzistuese. Për më tepër, Paneli gjen se masat në vend në objektet e paraburgimit të DhSK-së, të shqyrtuara si tërësi, ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pa monitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e miratuar paraprakisht, me qëllim minimizimin e rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krimeve të tjera. Për më tepër, ato ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet dhe/ose parandalohet më lehtë”, thuhet në vendimin ndaj Veselit e ngjashëm edhe në atë ndaj Thaçit.