Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka deklaruar se duhen zhvilluar hetime të aktiviteteve dhe të lidhjeve kriminale të zyrtarëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Me anë të një postimi në Facebook, Mustafa ka deklaruar se arrestimet nuk janë të mjaftueshme gjersa numëron rastet publike të zyrtarëve të LVV-së.
“Arrestimet nuk mjaftojnë. Duhen hetime të thella të aktiviteteve dhe lidhjeve kriminale të zyrtarëve më të lartë të VV-së, të cilët kjo parti i mbronë publikisht! Shihet qartazi që nuk është çështje individësh por është sistematike:
– Rozeta Hajdari miliona euro për grurë e vaj që s’ka ardhë kurrë.
-Mimoza Kusari shefe e grupit parlamentar koordinim me terroristin serb.
– Martin Berishaj pranon miliona euro nga Beogradi për tregti me energji.
– Nagip Krasniqi arrestohet për tendera dhjetëra milionë euro në KEK.
– Faruk Mujka ish-nënkryetar i Mitrovicës arrestohet dhe i gjinden 60.000 euro cash në shtëpi.
– Hysen Muzliukaj ish-drejtor në Mitrovicë dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë i arrestuar për keqpërdorim të detyrës.
– Liridon Fandaj asambleist në Suharekë i arrestuar për vjedhje të subvencioneve të bujqësisë.
– Besnik Mujeci asambleist në Prishtinë i arrestuar për trafikim droge.
– Berat Lahu asambleist në Prishtinë i përfshirë në rastin Brezovica.
– Çdo i treti ministër nën hetime”, ka shkruar Mustafa.
Ky reagim i Mustafës vjen pas bastisjes së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe arrestimit të tre personave për dyshime të keqpërdorimeve në rezervat shtetërore të shtetit.
Është arrestuar Ridvan Muharremi, pronari i lokalit “Bukë e zemër”, i dyshuar për keqpërdorime të rezervave shtetërore të Kosovës. Së bashku me të janë shoqëruar në polici edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Mëngjesin e së premtes, Policia e Kosovës ka bastisur lokalin dhe banesën e Muharremit.
Bastisja e pronave të Muharremit nisi në orën 6:00 të mëngjesit për të vazhduar më pas në bastisjen e ambienteve të MINT-it në orën 8:00.
Në polici janë shoqëruar drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica.
Gara është shoqëruar në polici nga ambientet e MINT-it.
Disa zyrtarë policorë së bashku me disa dokumente që janë marrë brenda zyrave janë larguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.