Ish-zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa ka reaguar lidhur me vendimin e MAShT-it që u mor këtë të hënë.
Mustafa ka thënë se “loja” me tekstet shkollore është atak ndaj prindërve, dhe se sigurimi e shpërndarja e tyre për nxënësit e niveleve një dhe dy është e rregulluar me ligj.
“Më saktësisht, në Ligji Nr.04/L-032 Për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, Neni 26 ( Tekstet shkollore dhe mjetet e tjera mësimore ), paragrafi 2 thuhet: “Tekstet shkollore të miratuara nga Këshilli Drejtues në nivelet 1 dhe 2 në bazë të paragrafit 2 të këtij neni ofrohen falas””, ka shkruar Mustafa.Tutje ai ka thënë se për këtë ministrja Nagavci do të duhej të njoftohej nga këshilltarët e saj.
Osmani ka shtuar se kur një kabinet ministror orientohet vetëm nga ndarja e granteve dhe projekteve për organizata të preferuara, “atëhere sigurimi i teksteve shkollore mbetet preukopimi i fundit”.
“Kur komplet një kabinet ministror orientohet vetëm kah ndarja e granteve dhe projekteve për organizata të preferuara ( paterica të ministrisë), atëhere sigurimi i teksteve shkollore mbetet preukopimi i fundit”, ka shkruar ai.
Gjatë ditës së sotme në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar mundësinë që këtë vit t’i transferojë mjetet financiare në llogaritë e prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Ajo ka thënë se kjo është bërë në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqpërdorime të çmimeve me libra shkollor.
Deri më tani tekstet shkollore janë blerë nga shtëpitë botuese dhe nuk ka pasur nevojë që prindërit t’i blejnë vetë ato.
Me vendimin e ri mjetet do të alokohen në llogari të prindërve dhe ata do t’i blejnë në librari.
“Sivjet jemi duke shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të MASHT-it të bëhet në llogaritë e prindërve dhe t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shpejt brenda dy tri ditëve do të vendosim përfundimisht për këtë që po e shqyrtojmë”, ka thënë tutje Nagavci.
Rimbursimi, sipas Nagavcit, do të bëhet përmes faqes “e – Kosova”, ku shumica e prindërve kanë të hapur llogari.
“Mënyra si është menduar të bëhet rimbursimi ka të bëjë me derdhjen e mjeteve në xhirollogari. Është dizajnuar faqja në e-Kosova. Pjesa më e madhe e prindërve i kanë të hapura llogaritë. Do të jetë proces i lehtë, ku prindi në momentin që identifikon veten dalin emrat e fëmijëve, do të zgjedhet shkolla që krejt të shkojë në rregull, dhe në fund është edhe një klauzolë ku secili e merr përgjegjësinë që mjetet do t’i marrë, do t’i përdorë për blerjen e teksteve. Pagesa do të bëhet paraprakisht, pra mjetet të dalin e pastaj ato të shpenzohen për libra. Nuk do të ketë nevojë për fatura e tema të tjera. E kemi paraparë një shënim ku prindi e verifikon që mjetet i vendosen në llogari do t’i përdorë për blerjen e teksteve për fëmijë. Këto janë obligime të përbashkëta, të qeverisë, prindërve, shkollave e komunave”, ka shtuar ajo.
Nagavci ka shtuar tutje se nuk do të ketë vonesa dhe se librat do të jenë gati me një shtator kur edhe do të fillojë viti i ri shkollor.