Mustafa mohon pretendimet e Halitit për azilin e Rugovës në Gjermani

Isa Mustafa, ish-kryetari i LDK-së, ka mohuar pretendimet e deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, se Ibrahim Rugova kishte kërkuar azil në Gjermani në vitin 1999

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, i cili pretendoi se ish-presidenti, Ibrahim Rugova, kishte kërkuar azil në Gjermani.

Në një intervistë për “Debat Plus”, Haliti tregoi se Rugova pasi kërkesa për azil iu refuzua, ishte detyruar të kthehej në Itali, ku qëndroi për një periudhë kohore.

Mustafa e ka quajtur këtë një të pavërtetë dhe ka sqaruar se Rugova kurrë nuk kishte kërkuar azil në Gjermani.

“Askush nuk e ka menduar as përmendur azilin”, ka shkruar Mustafa në një postim në Facebook. Mustafa, teksa theksoi se ai vetë ka qenë dëshmitar kur Rugova, së bashku me familjen e tij, ka ardhur nga Italia në Gjermani në maj të vitit 1999, si pjesë e qeverisë në ekzil.

“Nuk shkruhet historia duke e cilësuar Rugovën si paranojak, sepse paranojakët nuk krijojnë vepra kombëtare, siç i krijoi Rugova. Aq më pak nuk thuhet e vërteta nëse ia mvesh dikush,  që nuk e ka dashur Rugovën asnjëherë, që ai ka kërkuar azil në Gjermani. Unë kam qenë në Bon, si anëtar i qeverisë në ekzil, kur ka ardhur Rugova me familje të ngushtë nga Italia në maj të vitit 1999”.

Ai gjithashtu nënvizoi mikpritjen e veçantë të qeverisë dhe të popullit italian ndaj Rugovës, duke e cilësuar Italinë si vendin ku Rugova qëndroi pas largimit nga Gjermania.

“Së fundmi azil nuk kishim kërkuar asnjëri nga ne që qëndruam 9 vite në ekzil, (as dr. Bujar Bukoshi, as dr. Muhamet Bicaj, as Halit Muharemi, as unë).  Pas disa ditësh Presidenti Rugova u kthye në Itali. Qeveria dhe populli italian u treguan atëbotë mikpritës dhe më të kujdesshëm  ndaj Rugovës”, ka shtuar Mustafa.

Në fund, Mustafa kritikoi ashpër përpjekjet për të njollosur figurën e Rugovës në përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës, duke akuzuar disa individë për shfrytëzimin e emrit të tij për përfitime politike personale.

“5 vjetorin e çlirimit të Kosovës disa e shfrytëzuan për ta sulmuar dhe denigruar figurën presidentit Ibrahim Rugova, njeriut i cili i vuri themelet e çlirimit dhe të pavarësisë. Për Rugovën nuk folën ata që do duhej të flisnin. Disa kanë vdekur, disa nuk u ftuan të flasin, disa nuk janë aty ku është mikrofoni e disa po bëjnë politika ditore me emrin dhe figurën e tij për interes të tyre. Rugova nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë e mbron dhe e madhëron vepra e tij”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa.

Halitit i ka reaguar edhe kryediplomatja, Donika Gërvalla, e cila e ka quajtur njërin ndër nga figurat kyçe të LKP-së si “gënjeshtar të madh”.

“Ky Xhavit Haliti është thjesht një gënjeshtar i madh!”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

 

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika