Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Besian Mustafa, për takimin e 18 gushtit të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq në Bruksel, ka thënë se është shqetësuese që deklaratat se çfarë është diskutuar atje vinë një javë pas këtij takimi.
Sipas tij, përderisa presidenti serb është deklaruar, atëherë do të duhej edhe Kurti të deklarohej.
Mustafa në emisionin “Five” për këtë takim ka thënë se, më shumë kanë marrë informacione nga emisarët sesa nga kryeministri.
“Escobar ka pasur takim dje me liderë të partive opozitare, nga emisarët kemi marrë informacione më para se prej kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Mustafa.
Ndërsa për deklaratën e Kurtit në mbledhjen e Qeverisë se po i mungon opozita, ai ka thënë “ne po e bëjmë opozitën dhe punën tonë si opozitë, fatkeqësisht përtej partive politike, është obligim i Qeverisë që të raportojë për ngjarje të tilla si takimi në Bruksel”.
Ndërsa për vizitën e emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë ka thënë se ata janë ndërmjetësues dhe fascilitues të dialogut Kosovë-Serbi.
“Me aq sa kemi parë, sepse deklaratat janë të mangëta, nuk do ta klasifikoja si presion ndërkombëtar, sepse ata janë ndërmjetësues dhe përkrahës të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, fascilitues dhe garantues të këtij procesi”, ka thënë Mustafa.
Ndër të tjera, deputeti ka thënë se dialogu është një proces sfidues dhe se bisedimet sa i përket takimit të 18 gushtit në Bruksel, siç thotë ai, do të duhej të shiheshin si normale dhe të rregullta.
“Kosova me të drejtë pret njohje të ndërsjellë dhe natyrisht nuk ka pritur se do të jetë proces i lehtë, sigurisht që ka sfidat e veta”, ka theksuar ai.
Sipas tij, prezenca e emisarëve, Lajçak dhe Escobar, tregon për rëndësinë dhe vlerësimin që i japin këtij dialogu.
Ndërsa për zhvillimet të 31 korrikut në veri, Mustafa ka thënë se ajo çka ka ndodhur ka qenë si rezultat i një fushate dezinformimi nga institucionet e Serbisë, e që sipas tij, deri më 1 shtator do të ishte mirë të parandalohej një fushatë e tillë dezinformuese.
“Vetë fakti se Qeveria ndryshoi vendimin tregon për një mungesë përgatitjesh ose analizë të mirëfilltë të situatave që mund të rrjedhnin nga kjo situatë”, ka thënë ai.
“Dëshira ime do të ishte që të kemi marrëveshje finale me Serbinë, të kemi njohje reciproke”, ka vijuar tutje ai.
Ndërsa për marrëveshja për njohje reciproke me Serbinë ai ka thënë se nuk është diçka e re, duke shtuar se “kemi punuar të gjithë për të, edhe ne si LDK e kemi pasur këtë mendim gjithmonë”.
Ndërkaq për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe propozimin e LDK-së për të tejkaluar këtë krizë, ai ka thënë se kriza energjetike është diçka globale, por duhet të ketë menaxhim nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“E kemi paralajmëruar që dimri do të jetë i vështirë, që të kenë një plan konkret, remont të blloqeve nga ana e KEK-ut, reduktim të TVSh-së në faturat e energjisë dhe derivateve”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Qeveria është fajtore pasi nuk ka pranuar sinjalet dhe paralajmërimet e opozitës për krizë energjetike.