Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se pakoja e re ekonomike e prezantuar nga Qeveria e Kosovës, është joefektive dhe diskrimunuese, sidomos për punëtorët e sektorit privat.
Ai ka thënë se qeveria është duke e injoruar sektorin privat, sektor i cili sipas tij është “motor” i ekonomisë.
“Qeveria ka vendosur të injorojë tërësisht vetë sektorin privat, që është motori i ekonomisë sonë, nga sektori privat qeveria vetëm merr dhe nuk jep”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Sipas Mustafës, kjo pako është diskriminuese, sepse krijon pabarazi, duke iu dhënë vlera të njëjta të të hollave, sikurse atyre që kanë paga të ulëta, dhe atyre që kanë paga të larta.
“Pakoja është diskriminuese, për shkak se shkakton pabarazi, duke iu dhënë vlerën e njëjtë edhe atyre që kanë 300 euro rrogë, edhe atyre me 2000 euro rrogë. Si roja si drejtori i PTK-së, marrin po të njëjtën përkrahje nga kjo qeveri”, ka thënë Mustafa.
Më tej, deputeti i LDK-së e ka kritikuar qeverinë për moskonsultim me ekspertët apo odat e ndryshme ekonomike. Po ashtu, ai ka thënë se ekzekutivi nuk i ka marrë parasysh propozimet e LDK-së për ta ulur akcizën apo TVSH-në për derivate.