Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në emër të kësaj partie u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë për ndryshim.
Në konferencën për media, Mustafa ka theksuar se tani është koha për një drejtim të ri për Kosovën.
“Kjo është java e fundit! Kjo është koha për ndryshim! Është koha për lidership që ka vizion për Kosovën. Është koha për liderët që kanë një program real për të ardhmen e Kosovës. Dhe kjo është koha që ju, qytetarët e Kosovës, të flisni dhe të thoni me zë të lartë dhe qartë: koha për ndryshim është tani. Bëhuni ndryshimi!” ka theksuar ai.
Mustafa ka potencuar se e ardhmja e vendit varet sesi votojnë qytetarët, prandaj ka ftuar qytetarët që ta votojnë LDK-në, si dhe u kërkoi përkrahësve të bindin të paktën një person tjetër për të vendosur të ardhmen që dëshirojnë.
“Varet nga ju që të dilni dhe të votoni për ndryshim. Varet nga ju që të siguroheni që familja juaj të votojë për ndryshim. Miqtë tuaj po votojnë për ndryshim. Secili prej jush duhet të marrë të paktën një person më shumë me vete në qendrën e votimit sepse kjo mundësi për ndryshimin e madh nuk kthehet më! Kjo është koha që të gjithë ju të vendosni se çfarë lloj të ardhmeje dëshironi. Një të ardhme të ndritur apo një të ardhme si kjo qeverisje e VV-së. Krejt varet nga ju. Votoni LDK-në. Votoni Lumirin.”, ka deklaruar ai para mediave./EO