Procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi i cili ka nisur më 1 tetor do të përfundojë sot më 31 tetor. Sipas të dhënave të para, deri më tash në tri komunat me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës, janë regjistruar rreth 100 mijë shqiptarë.
Në një bisedë telefonike në emisionin “Magazina” me Blerina Neziri dhe Lirik Sylmetaj, në Radio Dukagjini, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka thënë se deri më tash i bie që rreth 100 mijë shqiptarë kanë deklaruar kombësinë në Serbi.
“Në Preshevë janë regjistruar 58 mijë e 845 banorë, mbi 54 mijë qytetarë janë regjistruar në Bujanoc dhe mbeten edhe diku rreth 90 shtëpi të regjistrohen. Derisa në Medvegjë rreth tetë mijë janë regjistruar. Ende nuk është përmbyllur procesi në Medvegjë dhe Bujanoc. Afërsisht janë 100 mijë shqiptarë që janë regjistruar, por ende nuk i kemi të dhënat e përpunuara”, ka thënë Mustafi.
Gjatë kësaj bisede, Mustafi i ka quajtur shqetësuese deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se shifrat e regjistrimit janë fryrë nga shqiptarët.
“Deklaratat e presidentit Vuçiq ishin shqetësuese. Kemi takuar Komisarin e Lartë për Pakicat Kombëtare nga Haga, ambasadorin e OSBE-së dhe kemi kërkuar monitorim të përfundimit të procesit dhe përpunimit të të dhënave. Rreth 100 mijë shqiptarë është dëshmia më e mirë kundër diskriminimit e pasivizimit të adresave”, ka shtuar Mustafi.
“Kemi dëshmuar se nuk jemi vetëm 5 mijë e 809 shqiptarë sa ishin në regjistrat zyrtare të Entit të Statistikave Republikane”, ka thënë Mustafi për Radio Dukagjini.
Ai u shpreh mirënjohës ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmën e ofruar gjatë këtij procesi të rëndësishëm.
Ndërkohë gjatë ditës edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare për procesin e përpunimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Serbi.
“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryra nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare. Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit.
“Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë. U jam mirënjohës sot tërë spektrit politik shqiptar anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptar”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti theksoi se nga dita e parë ka bërë thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik, sepse, sipas tij, shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë.
Rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë në Serbi, do të publikohen brenda 30 ditëve pas përfundimit të regjistrimit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të dalin pjesë-pjesë, duke filluar nga marsi ose prilli i vitit të ardhshëm.