“Na janë grumbulluar dy eurot”, qytetarët ankohen se askush s’po i pranon ato

Qytetarët në Kosovë janë nën presion, duke u ankuar se një sasi e madhe e monedhës 2 euro është e falsifikuar, ndërkohë bizneset dhe kompanitë po refuzojnë t'i pranojnë ato qofshin false apo origjinale

Fotografi ilustrim. Bizneset dhe disa kompani të autobusëve nuk pranojnë më monedhën dy euro.

Në një situatë të vështirë ekonomike, qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me një çështje të re që ka të bëjë me vlerën e parave. Shumë qytetarë kanë rënë viktimë e monedhës dy euro së fundmi, pasi një sasi e madhe e saj është e falsifikuar.

Agjencia e Forenzikës ka siguruar për portalin Dukagjini statistika shqetësuese, duke treguar se numri i parave të falsifikuara është në rritje, e kështu duke lënë qytetarët në një situatë pa përgjigje.

Vetëm për 11 muaj të këtij vitit shifrat zyrtare tregojnë se 219 mijë e 553 euro janë falsifikuar në tregun e Kosovës.

Ndër këto, shqetësuese është fakti se rreth 80 mijë euro janë vetëm nga monedha 2 euro, krahasuar me vitin e kaluar që ishte vetëm mbi 16 mijë euro.

Qytetarët janë të shqetësuar edhe nga ndryshimi i papritur që bizneset dhe disa kompani autobusësh kanë nisur ta refuzojnë këtë monedhë, duke e bërë të pamundur përdorimin e saj për blerje apo shërbime.

Foto e publikuar nga qytetarët në rrjete sociale.

Kjo është bërë për qytetarët hall i përditshëm, duke çuar në situata kur edhe blerjet më të thjeshta si blerja e bukës bëhen një sfidë e papritur.

“Dola në mëngjes herët për me ble bukë me dy euro në xhep, qysh bëj çdo ditë, por kësaj here furra nuk m’i pranoi paratë me arsyetimin se nuk janë origjinale dhe me tha që nuk e pranojnë më monedhën dy euro edhe nëse është origjinale apo false. Më duhej të ecja gjysmë ore për me i ndërru paret dhe për të blerë bukë”, kështu ka thënë për Dukagjinin një grua amvise 43-vjeçare nga Vushtrria, e cila ka preferuar të mbetet anonime.

“Na janë grumbulluar 2 eurot, s’po na i pranon askush”

Në anën tjetër, qytetarë nga Prishtina janë përballur me një situatë të ngjashme.

Foto e publikuar nga qytetarët në rrjete sociale.

Për këtë çështje, një qytetar nga Prishtina për Dukagjinin ka treguar se kanë dy euro të mbledhura në familje, por pothuajse kudo që i ofrojnë nuk po i pranojnë.

 

“Në familje na janë grumbulluar dy eurot, e s’po na i pranon asnjë dyqan, e as në autobus, qysh me i ndërru ne këto pare, kur dalim në minus. Nuk po dimë se çka të bëjmë tash me to”, kështu ka thënë një qytetar nga Prishtina.

“Dilerët shfrytëzojnë paratë e falsifikuara për veprimtari Ilegale”

Ekonomisti Mustafë Kadriaj për Dukagjinin ka evidentuar se paraja false po bëhet një mjet i preferuar për “dilerët”, për shkak të lehtësisë së maskimit dhe vështirësisë së verifikimit.

“Paraja false është mundësia ideale për dilerët për faktin se është rruga më e shpejtë për të ardhur deri te paraja, po ashtu mundësia e maskimit është më e lehtë, sepse në parim mundësia për të verifikuar nuk është e lehtë dhe në parim të mbash mjete financiare nuk është diçka ilegale”, ka deklaruar Kadriaj.

Ai ka theksuar se ndikimi i kësaj situate është padyshim i lartë te bizneset dhe qytetarët, duke rritur pasigurinë dhe ulur nivelet e besimit në sistemin financiar.

Kjo pasiguri, sipas tij, ka ndikim negativ në aktivitetin ekonomik, duke shtuar hezitimin për bashkëpunim tregtar dhe duke krijuar një huti që pengon zhvillimin ekonomik.

Kadriaj, gjithashtu, ka potencuar rëndësinë e veprimeve nga institucionet financiare dhe organet e sigurisë në adresimin e kësaj sfide.

Ai ka vlerësuar se duhet një ngritje e vigjilencës nga organet e sigurisë, si policia dhe Prokuroria, dhe bashkëpunimi i Bankës Qendrore me bankat komerciale për raportim efikas në rastet e identifikimit të parave të falsifikuara.

“Banka Qendrore duhet të ngritë shqetësim tek Banka Qendrore Evropiane, sepse imitimi i parasë false është pikërisht nga vendet e perëndimit, po ashtu edhe dilerët që e futin paranë false në Kosovë”, ka shtuar ai.

A është shkelur ndonjë e drejtë e konsumatorit në këtë rast?

Shoqata “Konsumatori” thekson se, sipas Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, Qeveria e Kosovës duhet të mbështesë OJQ-në për kauzën e qytetarit konsumator.

Megjithatë, kryetari i organizatës joqevieritare për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, Selatin Kaçaniku, për Dukagjinin ka theksuar se kjo nuk ka ndodhur për 17 vjet të ekzistencës së tyre.

Ai ka potencuar se Ligji për mbrojtjen e konsumatorit i jep të drejtat dhe mbrojtjen e nevojshme qytetarit konsumator.

“Konform Ligjit për mbrojtjen e  konsumatorit Qeveria, MINT-i dhe të tjerat e kanë për obligim kujdesin dhe mbrojtjen e qytetarit / familjes / biznesit konsumator”, ka thënë Kaçaniku.

Ata shprehin dyshime se ndokush nga lart ka bashkëpunuar për krijimin dhe rritjen e problematikës së parave të falsifikuara, dhe ka shtruar pyetjen se përse nuk ka reaguar askush ndaj kësaj sfide.

“Nëse një Qeveri, e të gjitha legjislaturave nga viti 2006 i themelimit të OJQ “Konsumatori” dhe një MTI / MINT po nga kjo kohë, nuk e përmbush mandatin, atëherë imponohet dyshimi i bazuar për sabotimin e rolit / aktivizmit fisnik e ligjor të OJQ-së “Konsumatori”?!”, ka deklaruar ai.

Shoqata apelon për një veprim të menjëhershëm të Prokurorisë dhe thërret për mbështetjen e qytetarëve në procesin e ndërgjegjësimit dhe të informimit.

Shoqata “Konsumatori” ka një udhëzim të Bankës Qendrore që i kushtohet problematikës së monedhave metalike EURO, por kryetari i kësaj shoqate ka theksuar se shumë udhëzime nuk janë përcjellë drejt qytetarëve.

Policia e Kosovës për Dukagjin ka njoftuar për një sërë rastesh të “Falsifikimit të parave” gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2023, ku janë identifikuar 486 raste.

Sipas statistikave të Policisë, vitin e kaluar ka pasur një shifër të konsiderueshme prej 804 raste të “Falsifikimit të parave”.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se lidhur me falsifikimin e parasë ka biseduar me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Inspektoratin e Tregut, dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Palët kanë bërë një thirrje për qytetarët dhe bizneset që të shmangin përdorimin e monedhës së 2 eurove, ndërsa të preferojnë përdorimin e kartave bankare, në përpjekje për të luftuar problemin e parave të falsifikuara.

Më 30 nëntor, policia ka arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohen për prodhim dhe futje në treg të parave të falsifikuara dhe kanë sekuestruar një vlerë të madhe të monedhave false.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, të arrestuar janë tre shtetas të Kosovës dhe tre të Maqedonisë së Veriut. Ky institucion tha se dyshohet që paratë të jenë prodhuar “në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika